Sezoni turistik/ Rama: Shqiptarët nuk do ikin jashtë, të huajt do vijnë këtu

Shqipëria do të vijojë të mbajë të hapur kufijtë gjatë sezonit turistik për turistët e huaj dhe qytetarëve shqiptarë nga Kosova, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut.

Sipas kryeministrit Edi Rama, i cili ishte sot në Përmet, shpresohet që në maj të nisë vaksinimi i strukturave të hotelerive, por parlajmëroi se shqiptarët edhe këtë vit do të pushojnë në vendlindje.

“Do vijojmë të ndjekim të njëjtën strategji, kufijtë do të jenë të hapura. Kufirin me Kosovën do e mbajmë hapur, pavarësisht se aty është ndërlikuar puna me numrat, për shkak të fushatës. Ata nuk bënë kujdes dhe po përballen me rritje të numrave. Do e keni më të lehtë sezonin, por prapë do të jetë një sezon ku shqiptarët do e kalojnë në vendin e tyre, sidomos ata shqiptarë që iknin jashtë. Kemi parë që ka filluar të ketë kërkesa nga të huajt, sidomos izraelitët, suedezët shumë, Evropa Qendrore shumë. Gjermanët një çikë më pak. Janë numra pak, sepse ata kanë probleme atje, por këto vënde janë shumë të interesuar dhe ne po punojmë, që pasi të zbresim këto fashat, këtë javë zbret fasha e vaksinimit shkon 65, e do të vijojmë në maj me të gjithë infrastrukturën e hotelerisë për të vaksinuar stafet.

Është tërheqëse ti thuash turistëve që hajde, ky staf është i vaksinuar dhe eja pa frikë. Ka qenë propozim i vetë industrisë, ne na pëlqeu shumë dhe e studiuam. Kjo do të jetë një ndihmë. Shqipëria nga pikëpamja e malit është i njohur, por jo aq. Niveli i turistëve që vijnë në këtë pjesë është mesatar ose i ulët.

Që të sjellim turistë që shpenzojmë shumë, edhe në mal duhet të krijojmë pikat e një turizmi që ofron më tepër, skitë janë A-ja, shoqëruar me elementë të tjerë. Kështu, ishte edhe puna me bregdetin, kompania që ka ardhur për të ndërtuar në portin e Durrësit, kurrë nuk vinte të investonte në të kaluarën”