Vasili denoncon: Rama po shantazhon e kërcënon mjekët dhe mësuesit

Nënkryetari I LSI-së denoncon atë që e quan “shantazh” që kryeministri bën ndaj arsimtarëve dhe mjekëve duke i kërcënuar ata me vendin e punës.

“Në mesin e një ngjarjeje të paprecedentë siç është pandemia, guxon të shtantazhojë edhe mjekët dhe infermierët, ata të cilët përballen në çdo ditë e në çdo orë me luftën për jetën e për shëndetin, e të cilët janë përballur në të kundërt me një Kryeministër si ky, që ky dhe vetëm ky, për herë të parë, ka larguar nga puna mjekët për bindje politike, që nuk ishin bindje politike, por ishin vetëm kërkesa për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve dhe për tu thënë ‘JO’ gënjeshtrave dhe propagandës.

Është ky dhe vetëm ky që ka nxjerrë dhjetëra e dhjetëra infermierë e mjekë që të rrinin e të prisnin me orë në oborret e spitaleve, derisa të mbaronte ky estradat e propagandës së tij të neveritshme, duke i shkëputur nga puna, nga vija e parë, nga kujdesi tek shtrati i të sëmurit dhe të gjitha detyrat e tyre të domosdoshme për jetën.

Lexo dhe: “Malukatët po na sabotojnë”, Rama paralajmëron mësuesit dhe infermierët e punësuar: Me votën në drejtim të paditur ikin

Pra, edukatorët dhe mjekët e infermierët janë gjendur dje në një ofensivë të pacipë e të paskrupullt të Edi Ramës vetëm e vetëm për këmbët gjysmë të thyera të karriges së tij. Këta mjekë dhe infermierë dhe këta arsimtarë militojnë aty dhe janë dy armata të mëdha, që militojnë aty prej vitesh. Janë aty dhe do të jenë aty për të mirën e vendit dhe kurrkush nuk mund ti prekë."

Vasili dha garanci se pas 25 prillit shantazhimi për vendin e punës do të marrë fund.

Askush më pas 25 prillit nuk do ti rreshtojë e do të mbushë sheshet e spitalit e ti heqë nga shtrati i të sëmurit vetëm e vetëm për të bërë propagandën e Edi Ramës. Askush nuk do ti largojë më nga puna mjekët dhe infermierët sepse duan që shërbimi ndaj qytetarëve e pacientëve të jetë më i mirë.

Më 25 prill do të largohet vetëm armiku i vetëm i arsimit dhe i dijes, shkollë paku dhe i pashkolli, atentatori i arsimit dhe i dijes dhe njëkohësisht atentatori i shëndetit. Do të largohet ai, i cili shantazhon me vaksinat, i cili shantazhon me vendet e punës, shantazhon me gjithçka në emër vetëm e vetëm të një karrigeje, të karriges së tij” tha Vasili