"This is a miracle of freedom", Berisha kujton momentin kur flamuri ynë ngrihej në selinë e NATO-s

Ish kryeministri Sali Berisha kujton përmes një postimi në rrjetet sociale 12-vjetorin e anëtarësimit me të drejta të plota të Shqipërisë në NATO dhe momentin solemn kur flamuri ynë ngrihej në selinë e Aleancës Veri-Atlantike në Bruksel përkrah flamujve të vendeve të tjera anëtare.

Pas këtij momenti historik, në videon e publikuar nga Berisha shfaqet ish presidenti i SHBA George W.Bush i cili shprehet se Shqipëria dhe Kroacia i kanë plotësuar të gjithë kushtet për të qenë anëtare të Aleancës e më pas fjalimi emocionues i ish kryeministrit me shprehjen e famshme "This is a miracle of freedom" (Kjo është një mrekulli e lirisë), raporton Ora News.

Sali Berisha: 12 vite më parë flamuri unë kombëtar u valvit në Selinë e NATO-s ne Bruksel, për herë të parë midis flamujve të vendeve anëtare.

Në vitin 2009,  Shqipëria u anëtarësua në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit. Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s,  Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së Jashtme, duke  avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi si rrjedhojë e vendimit të rëndësishëm për zgjerimin e Aleancës, të marrë më 3 prill 2008 nga të 26  Krerët e Shteteve dhe Qeverive të Aleancës gjatë një seance të posaçme të Samitit të NATO-s Bukuresht, nëpërmjet  të cilit Shqipëria dhe Kroacia u ftuan të fillonin bisedimet për anëtarësimin. Ky vendim erdhi pas mbylljes të ciklit të 9-të të Planit të Veprimit për Anëtarësimin (MAP) të Shqipërisë me NATO-n dhe pas kryerjes të një sërë reformave që synonin plotësimin e kritereve të nevojshme për anëtarësimin në Aleancë. 

/a.r,OraNews