Gjiknuri premton: Vlora do ketë shëtitoren deri në Orikum
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe, të rinj pjesë e klubit shumë sportësh “Flamurtari” garuan në Maratonën “Lungomare 2021”.
Të pranishëm në këtë aktivitet për të ndarë çmimet për garuesit ishin edhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës Damian Gjiknuri dhe kandidatët për deputetë Teuta Ramaj e Laura Ferati.
Në fjalën e tij, Gjiknuri premtoi shtrirjen e Lungomares deri në Orikum.
“Tani që shëtitorja do të shkojë deri në Orikum, atëherë do të bëhet tamam maratonë e vërtetë, vajtje-ardhje nga Vlora në Orikum. Të vijnë edhe të huajt dhe ta kthejnë në një vend ku të bëjnë gara këtu”, u shpreh Gjiknuri.
Organizatorët i dhuruan Gjiknurit një medalje simbolike, shoqëruar me bluzën e stampuar me nr.7 si ogur i mirë për të dalë kampion në garën e 25 Prillit.
Gjithashtu Gjiknuri takoi dhe banorët e lagjes “Kushtrimit” ku premtoi përfundimin e legalizimeve.
“U investova personalisht për të ndryshuar kufirin e zonës ekonomike që I linte të palegalizuara një pjesë të shtëpive të qytetarëve” u shpreh Gjiknuri.
Gjiknuri kërkoi votëbesim për të gjithë ekipin e Partisë Socialiste, një ekip përfaqësues qytetarësh të denjë e me kontribute në jëtën sociale të qytetit.