Vrasja e rapsodit Kol Murrani dhe Preng Simonin, në gjyq Përdoda dhe miku i tij

Një vit nga vrasja e dyfishtë në fshatin Lalm të Lezhës, ku mbetën të vrarë me armë zjarri rapsodi Kol Murrani dhe miku i tij, Preng Simoni, prokuroria e Lezhës ka mbyllur hetimet, duke dërguar në gjykatë aktet hetimore me të pandehur, Aleksandër Përdoda dhe Agron Lushin.

Përdoda akuzohet për veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese” ndaj dy personave kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve”.

Ndërsa i pandehuri tjetër Agron Lushi, është proceduar për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”.

Ndërsa hetimet për Edmond Përdodën, që rezulton kushëri i Aleksandër Përdodës dhe që dyshohet si pjesëmarës në këtë vrasja, janë veçuar për të vijuar verifikimet e mëtejshme.

Vrasja e 27 prillit
Ky person momentalisht është shpallur në kërkim. Ngjarja e vrasjes së Kol Murranit dhe Preng Simonit ka ndodhur në 27 prill 2020, të cilët së bashku janë ekzekutuar me armë zjarri nga Aleksandër Përdoda.

Ngjarja ka si motiv një konflikt pronësie mes Simonit dhe Përdodës, pronë të cilën ky i fundit e kishte tjetërsuar, ku dyshohet se e ka mbjellë me hashash.

Përdoda në dëshminë e tij, ka pranuar se ka pasur një konflikt me Preg Simonin, një nga viktimat. Ky konflikt pronësie kishte ndodhur 8 muaj para ngjarjes, por çështja sipas tij është zgjidhur. Ndërsa me Murranin, Përdoda ka treguar se ka pasur miqësi, që sipas tij nënkupton se nuk ka pasur asnjë motiv për t'i vrarë. Përdoda ka mohuar të ketë lidhje me dy vrasjet. Por nga analizimi që i është bërë qelizave telefonike, Përdoda ka qenë afër vendit të krimit.

Dy trupat e pajetë të Murranit dhe Simonit, janë gjetur nga djali i njërit prej viktimave, i cili ka dalë t’i kërkojë, pasi asnjëri prej tyre, nuk po i përgjigjej në telefon. Viktimat janë gjetur pa shenja jete rreth orës 16:00, ndërsa ekzekutimi i tyre mendohet të jetë kryer rreth mesditës.

Murrani dhe Simoni banonin në periferi të qytetit të Lezhës dhe ditën e ngjarjes në 27 prill 2020, kishin dalë herët në mëngjes me motor, për të shkuar tek shtëpitë e vjetra që kanë në këtë fshatin Lalm i vjetër. Pasi kanë ngarkuar një thas me jonxhë, Murrani dhe Simoni kanë vendosur të kthehen në Lezhë, por rrugës dyshohet se janë qëlluar befasisht me armë zjarri nga Aleksandër Përdoda.

Për shkak të terrenit të thyer malor dhe mungesës së infrastrukturës së rrugës, policisë i është dashur 60 minuta për të mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ndodheshin viktimat. Tashmë çështja ndaj Aleksandër Përdodës dhe mikut të tij Agron Lushit, ndodhet në pritje për të nisur gjykimi.