Krasniqi: PS po bën fushatë për të mos lejuar votimin e të pavendosurve, PD-LSI të shmangin marrjen e mandateve të njëra-tjetrës

Analisti Afrim Krasniqi thotë se Rama po bën fushatë për të dekurajuar të pavendosurit për të votuar në 25 prill.

Duke komentuar sondazhin e katërt të Rtv Ora dhe Antonio Notos në emisionin "Tempora" në Rtv Ora ai thotë se PD dhe LSI duhet të kenë një strategji më të qartë për këto zgjedhje, pasi nëse LSI synon votat në bastionet e PD ai thotë se do të fundosë veten dhe PD.

Ndërkohë Aleksandër Çipa thotë se pavarësisht ndryshimeve kushtetuese fleta e votimit provoi se jemi kthyer te strategjia klasike, nuk ka votë preferenciale.

Ndërsa Artan Hoxha mes batutash thotë se i kujton numeratorët me gogla për fëmijët e kopështit.

Duke komentuar gjetjet e sondazhit, ai thotë se Ramës nuk i ka ecur fushata këto dy javë ndërsa kundërshtari po i afrohet kërcënueshëm.

Afrim Krasniqi: PS po bën një fushatë që të mos lejojë votuesit e pavendosur të marrin pjesë në votim. Me pjesën tjetër të vendosur ajo del parti e parë. Dekurajimi i tyre duke thënë që këtu është mbyllur gjithçka dhe duke bërë batuta, kjo është strategjia elektorale.

Kurse opozita ka një problem madhor, ka një kryetar që bën fushatë pozitive dhe një person tjetër që nuk shkon në vijën politike dhe në treguesit elektoralë më shumë prish punë se rregullon punë, dhe ka problemin e LSI që edhe je aleat, nuk e kritikon dhe thua do të bëj aleancë por edhe nuk dihet nëse është një krushqi e detyruar.

Nëse LSI në termat konkretë lufton për të marrë mandate në votat e bastioneve të PD ajo fundos dhe PD bashkë me të. Nëse PD i thotë LSI unë të ndihmoj në Berat, bëj fushatë sa të mundesh, Gjirokastër, Fier, do të maksimalizonte votën në mandate në momentin e fundit.

Nëse të dy palët zihen për Shkodrën, për Lezhën, për Durrësin, mund të ndodhë që mandatet e fundit ja marrin njëra-tjetrës. Aleanca nuk është dokumenti i shkruar, është të ulen strategët elektoralë.

Aleksandër Çipa: Modeli i fletës së votimit rikthen styrategjinë klasike nga fillimi, kot flasim për lista dhe përfaqësime individuale, nuk ekziston më kjo.

Artan Hoxha: E di si u bë fleta e votimit, si numeratorët në kopësht me gogla.

Afrim Krasniqi: Edhe siç u bë varianti i parë, emra pa fund, gjysma e shqiptarëve duhet të vendosnin nga dy palë syze.

Artan Hoxha: Të qenurit e PS konstante tregon se në këto dy javë kryeministrit nuk i ka ecur fare fushata dhe i është rritur kundërshtari, po i afrohet kërcënueshëm. Fushata e tij se unë vaksinoj, Luli infekton, nuk ecën. LSI kështu kështu, por LSI vijon të mbahet.