"Mos e shisni votën!" Baçi: Ramës i ka mbetur vetëm të thotë që s'do ketë seks pas 25 prillit po fitoi opozita
Kandidati i PD-së në qarkun e Durrësit, Agim Baçi, thotë se kryeministri Rama po zhvillon një fushatë negativiste.
I ftuar në Ora News, Baçi thotë se pasi i kërcënon shqiptarët me jetë për vaksinat, i ka mbetur vetëm tu thotë që po erdhi në pushtet opozita nuk do të ketë më marrëdhënie seksuale në çift.
Baçi: PS ka qenë në opozitë këto vite si partitë e tjera. Rama ka zgjedhur një kastë personale që e ka quajtur Rilindje. Sot kemi një kastë drejtuesish kaq personale dhe kjo shpjegon dhe ligjërimin e zotit Ramës që kërcënon, vetëm shan, vetëm hakërrehet. Ka mbetur vetëm tu thotë shqiptarëve që nëse fiton opozita do të ndalohet dhe seksi pas 25 prillit, se vaksinat po, legalizimet po, rrogat po, ekonomia po. Ka mbetur tu thotë se nuk ka vetëm seks, familjet shqiptare do të vuajnë nga kjo gjë.
Ndryshe nga Rama, Baçi thotë se Basha nuk po merret me të por me programin dhe alternativën që ka për shqiptarët, si kryeministër i ardhshëm i tyre.
Baçi: Me sa kam ndjekur fushatën në terren, PD dhe Basha nuk është marrë me zotin Rama.Është një strategji shumë e mirë. Ai që e sheh vetëvetën si kryeministër të ardhshëm të shqiptarëve duhet ti shpjegojë atyre se çfarë do të bëhet me ekonominë. Ka shumë pyetje si do të gjenden paratë? Nëse kthehet shteti ligjor, llogaridhënia, shpirti publik për të debatuar gjërat që na duhen bashkërisht unë them se çdo gjë është e mundur.
Sipas Baçit, Rama po kërkon ndihmë për ta larguar në 25 prill me votë pasi do të dalë nga kthetrat e krimit që e ka marrë peng sipas tij.
Baçi: Rama duket sikur po na kërkon ndihmë ta votojmë për ta hequr nga pushteti që të shpëtojë nga kthetrat e atyre që e kanë marrë peng. Duket sikur e tërheqin.Edhe në qeverisjen e PD ka pasur gabime, as nuk do të vijnë ëngjëjt pas 25 prillit dhe do të marrin qeverinë e PD dhe do ta bëjnë parajsë por është e pafalshme të arrijmë në një stad të tillë që kryeministri të krenohet me të keqen, Rilindja të krenohet me të keqen.Kulturalisht po i ndryshon shqiptarët, po u thotë që po të jesh i ndershëm je i kotë, po të jesh i drejtë je budalla, po të jesh zbatues i ligjit je naiv. Prindërit shqiptarë janë në një siklet të paparë, nuk dinë si ti drejtojnë fëmijët.
Një parti, thotë Baçi, nuk duhet të vijë në pushtet duke premtuar punësime por me përpjekjen për të hapur vende të reja pune.
Baçi: Jo duke premtuar vende pune por me përpjekjen e saj për tu hapur vende pune, biznesi dhe gjithë shoqëria të kenë mundësinë e një tregu dhe kjo të krijojë vende pune. Jo të mbetet siç pretendon Rama që punëdhënësia më e madhe mbetet qeveria. Është trishtim i madh.
Në fund Baçi pati dhe një apel për zgjedhësit shqiptarë që të mos shesin dinjitetin e tyre.
Baçi: Po i çove njerëzit te mbijetesa ata do të shkojnë te shitja e votës. Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të mos e shesin votën se po shite votë ke shitur dinjitetin, të ardhmen tënde, i ke hequr të drejtën vetes me kërku llogari, me pas dinjitet.
Intervistoi Sebastian Zonja, përgatiti për online Besjana Kuçana