“Nuk ka më shanse që De Gea të qëndrojë te Man. United”

Lënia në stol ndaj Brighton ka sjellë reagime të forta në Premier League dhe jashtë Anglisë për fatin e David De Geas i cili tashmë më shumë shikohet jashtë sesa në skuadrën e Solskjaer për sezonin e ardhshëm.

Për largimin e tij në verën e ardhshme është i bindur ish kapiteni i “Djajve të kuq”, Rio Ferdinand i cili shprehet me bindje se gardiani spanjoll nuk ka më vend te Man. United,

“Unë mendoj se egoja e tij dhe krenaria janë prekur pasi u ul në stol dhe pa që Dan Henderson luajti në vend të tij. Edhe pse ai e mbështet portierin e ri, kur De Gea shkon në shtëpi ndihet i prekur dhe nuk besoj se do të pranojë që të jetë portieri rezervë në “Old Trafford.”

Zërat për një largim të portierit spanjoll janë shtuar së tepërmi dhe për De Gean ka shumë pretendentë për ta afruar në verë por problem mbetet paga e lartë duke qenë se është gardiani më i paguar në Premier League.

Nuk përjashtohet mundësia që Man. United ta huazojë por kjo do të ishte lëvizja e fundit pasi drejtuesit duan të përfitojnë nga kartoni i tij pasi është një nga portierët më të mirë të viteve të fundit në futbollin europian.