Rama me fermerët në Berat: Rritja e eksporteve në mbi 1 mld dollarë, objektiv i mandatit të tretë
Kryesocialisti Edi Rama zhvilloi një takim me fermerët e Moravës në Berat. Gjatë këtij bashkëbisedimi ai u shpreh se objektivi i mandatit të radhës është që eksportet shqiptare të arrijnë 1 miliard dollarë në vit.
"Është rritur nga 100 milionë në 400 milionë dollarë. Objektivi është që eksportet e Shqipërisë të shkojnë në mbi 1 miliard në katër vitet e ardhshme."
Sipas Ramës, bujqësia ka pasur goxha progres krahasuar me 7 vite më parë si pasojë e mbështetjes që shteti i ka dhënë këtij sektori.
"Agjencia jonë ka bërë një kapërcim shumë domethënës duke e çuar Shqipërinë nga vendi i fundit që e gjetëm ne në vendin e parë. 7 vite më parë Shqipëria e kishte raportin import-eksport në produkte bujqësore 1 me 7."
Në përfundim të këtij takimi Rama ftoi fermerët që të organizohen në grupe për të arritur një tjetër nivel jetese.