Zbulohen 18 baza e armatimit ku furnizoheshin grupet kriminale, zbardhen 3 ngjarje kriminale, 5 në pranga 2 në kërkim
Policia e Tiranës ka zbuluar 18 baza që shërbenin për modifikimin, magazinimin dhe shitjen e armëve luftarake nga grupe kriminale në të gjithë territorin e vendit që kryenin krime kundër personit.
Gjithashtu ka zbardhur edhe 3 ngjarje kriminale me armë e eksploziv të ndodhura më parë. Ishte vetë drejtori i policisë, Rebani Jaupaj që doli para medias për të dhënë detajet e operaicionit "Kompleksi"
Gjatë operacionit, janë arrestuar
Paris Prenga,
Bledar Deda
Flor Abazi,
Bujar Jaupi
Arben Sufa
Janë shpallur në kërkim Sokol Gjura, i cili është larguar jashtë vendit javë më parë dhe Akil Kulla, nipi i Nehat Kullës.
Atentati me minë të telekomanduar tek “Frigoriferi”, 2019
Po gjatë operacionit u bë lokalizimi dhe kapja 3 personave për të cilët SPAK ka lëshuar urdhër ndalimi, konkretisht:
Paris Prenga, Bledar Deda dhe Flor Abazi. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi Sokol Gjura, i cili është larguar jashtë vendit javë më parë. Këta akuzohen për atentatin e mbetur në tentativë të Artion Bylyku, ngjarje e ndodhur më 18 tetor 2019
“Ndalimi i këtyre shtetasve u bë për arsye se këta persona, së bashku dhe me dy persona të tjerë të arrestuar më parë, Ermond Jamaku dhe Enver Jamaku, dyshohet se janë autorë të ngjarjes së ndodhur më datë 18 tetor 2019, në Tiranë, ku është tentuar të vritet me eksploziv të telekomanduar shtetasi A. B.”
Dy atentatet e 2017
Sipas policisë, shtetasi i shpallur në kërkim Sokol Gjura dyshohet se së bashku me dy persona të tjerë të arrestuar më parë, Ermond Jamaku dhe Enver Jamaku, janë autorë të sulmit me armë ndaj shtetasit P. P., ngjarje e ndodhur më datë 10 shtator 2017, në rrugën “Muhamet Deliu” në Tiranë.
Gjithashtu, këta persona dyshohet se janë autorë të vendosjes së lëndës eksplozive, granatës dhe armës së zjarrit, si dhe të një lënde narkotike të dyshuar si heroinë në banesën e shtetasit E. S., ngjarje e ndodhur më datë 15 shtator 2017 në Tiranë.
Në kërkim nipi i Nehat Kullës
Policia informon se është shpallur në kërkim edhe nipi I Nehat Kullës, Akil Kulla. Kjo pasi në kuadër të operacionit, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Akil Kulla.
"Policia ka gjetur dhe sekuestruar një arsenal armësh luftarake të kalibrave të ndryshëm dhe municion luftarak, konkretisht një snajper prodhim i fundit, 4 kallashnikovë, dy granatahedhës, një pistoletë dhe pjesë për riparim dhe modifikim të armëve të zjarrit."
25 silenciatore ne banesën e tornitorit
Në pranga ka rënë dhe një tornitor i cili prodhonte silenciatorët në banesën e tij.
"Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Bujar Jaupi, me profesion tornitor, i cili u arrestua në flagrancë, janë gjetur dhe sekuestruar 25 silenciatorë për armë të ndryshme të prodhuara nga ky shtetas në tornon që kishte në përdorim në ambientet e banesës, një pistoletë me mulli dhe qindra pjesë për modifikimin dhe riparimin e armëve të zjarrit."
Cfarë u gjet në banesën e Sokolit, Parisit dhe Florit ?
Nga kontrolli i banesës së Sokol Gjurës, i shpallur në kërkim janë gjetur dhe sekuestruar radio si ato të policisë dhe të ushtrisë, një optikë termike speciale për snajper, ndërsa në magazinën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan 20 makineta të reja të lojërave të fatit, 6 tavolina ruleti, një automjet i blinduar, si dhe automjeti i përdorur nga autorët në vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit Artion Bylyku.
Ndërsa në banesën e shtetasit Paris Prenga janë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike kokainë.
Në banesën e shtetasit Flor Abazi janë gjetur një sasi municioni për armë zjarri, 2 qese me lendë narkotike kokainë dhe një automjet i blinduar.
Po në kuadër të operacionit, nga kontrolli në banesën e shtetasit Arben Sufa, me profesion tornitor, Policia gjeti një pistoletë dhe pjesë për silenciatorë.
“Kompleks”
Operacioni u kodua “Kompleks” dhe është zhvilluar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë
Për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera, pasi operacioni vijon për zbadhjen e ngjarjeve të tjera në të cilat dyshohet se janë të përfshirë këta shtetas dhe shtetas të tjerë.