Ktheu banesën në laborator kanabisi, tre të arrestuar në Lushnje, një në kërkim

Këto pamje nuk vijnë më nga operacionet e policisë britanike por nga brenda një shtëpie në Lushnjë e cila ishte kthyer në një fermë e kultivimit të kanabisit me llamba.

Banesa e kthyer në laborator për rritjen e bimës narkotike ndodhet në fshatin Dushk vetëm pak metra nga rruga kryesore.

Tre persona u arrestuan aty në kushtet e flagrancës pasi policia thotë se kishte marrë informacion për veprimtarinë që kishin nisur.

Në pranga u vunë  Fiqiri Dedej 53 vjeç, banues në Dushk, Lushnjë, Kreshnik Ibraliu, 30 vjeç, banues në Lushnjë, Klevis Likja 38 vjeç, banues në Lushnjë.

Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe një 31 vjeçar, banues në Fiershegan.

Ata kishin përshtatur katin e parë dhe të tretë të shtëpisë për rritjen e bimës narkotike me llamba termike dhe aparatura të tjera ndihmëse të cilat furnizoheshin me energji me lidhje të paligjshme.

Aty sipas policisë kishin nisur kultivimin e 170 rrënjëve kanabis sativa.

Brenda banesës policia gjeti edhe një armë zjarri pa leje.

Të ashtuquajturat shtëpi Bari, po konfirmohen si trendi i ri i kultivimit të bimëve narkotike këtë vit zgjedhor në Shqipëri.

Në fillim të marsit një rast i ngjashëm u zbulua në Vorë, çka sinjalizoi për ndryshimin e strategjisë së kultivimit të kanabisit nga malet në mes të zonave të banuara.

https://youtu.be/MU7NGhEj9rY