Rama sulmon sërish opozitën: Duan të ndalojnë rindërtimin dhe vaksinimin
Në Rrogozhinë ku zhvilloi një bashkëbisedim me fermerët, kryeministri Edi Rama risolli në vëmendje reformën në drejtësi. Edhe pse në rreth 5 vite ende nuk ka përfunduar vettingu për gjysmën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe kur Gjykata Kushtetuese dhe ajo e lartë arritën të shkojnë në 7 anëtarë vetëm në 2021, kryeministri Rama shprehet se është opozita jashtë parlamentare që do ta pengojë.
"Do të çeli me shumë mundim embrioni i drejtësisë së re, Ilir Metës do t'i jepni ju besimin që rri dhe flet me vete sa herë del në televizor dhe pa i thënë kush një në tre fjalë e ka burgu, burgu, burgu," tha Rama.
Në fushatë Rama nuk paralajmëron vetëm për reformën në drejtësi. vaksinimin deklaron se nuk do ta përdor për fushatë, por për votuesit ka një paralajmërim
"Ne jemi një nga dy vendet në të gjithë rajonin që i kemi hyrë vaksinimit masiv dhe po vaksinojmë me një ritëm me të cilin shumë shpejt ne do të dalim në pjesën lart të tabelës së vaksinimit në Evropë," vazhdoi kryeministri.
Rama u shpreh gjatë 8 viteve të qeverisjes bujqësia ka pësuar ndryshim thelbësor, ndërsa ironizoi edhe programin e PD-së.
"Kemi vendosur bazat e forta e një transformimi që vazhdon. E para në këto 7 vite e pak që ne jemi në krye të detyrës, kemi dyfishuar sipërfaqen e tokës që punohet. Ai që e kurdis Saliu del dhe bën thirrje për mos bërjen e vaksinës, bën thirrje duke u thënë njerëzve se vaksina të vdes," përfundoi Rama.
Pjesë nga fjalimi i Ramës:
"Nuk dinë se si bëhen as miqësitë as partneritetet, dinë vetëm dëngla dëngla, nuk bëhet Evropa me llafe. Këta janë këta, nuk duhet të biem në këtë kurth.
Në Vlorë në vend që t'u kërkojnë votën, bëjnë kallëzime, duan që të ndalojnë rindërtimin, vaksinimin. Nuk e njihni ju Fatmir Mediun, Dash Shehun që të zë rakia dhe kur e sheh në televizor. Shpëtim Idrizin nuk e njifni, ju tymin e doganës?
Mesilën që donte të varte protestuesit te palma? Me këto do të bëhen rindërtimet dhe vaksinimet, apo me Gridaren që del vetëm bërtet? Më tregoni njëherë kur ata morën detyrën dhe nuk e lanë më keq. Ju ka ngel goja ju futëm në Nato, ju futëm në NATO, në Nato na futi Amerika, nuk na futën këto.
Ilir Metës do i jepni besimin që flet kot? Ne e dimë shumë mirë Ilir Meta, Sali Berisha , Monika Kryemadhi, janë armiq të reformës në drejtësi, të drejtësisë së pastër. "- tha ai.