Arrest me burg për Ardian Çapja, gjyqtarja priti ti dilte narkoza, rrethohet spitali
53 vjeçari Adian Çapja do vijojë të qëndrojë në burg pavarësisht gjendjes së tij shëndetësore.
Vendimi është marrë nga gjyqtarja Pajtime Fetahu, e cila së bashku me prokurorët e çështjes Ridvan Suka dhe Kreshnik Ajazi te cilët pak ditë më parë janë marrë në mbrojtje e kanë zhvilluar seancën e vleresimit të masës së sigurisë në ambientet e kardiologjisë në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza" ku ndodhet i shtruar i pandehuri.
Seanca nisi në orën 11:30 minuta dhe ka zgjatur rreth 60 minuta pasi 53 vjeçari, i cili kishte kryer një ndërhyrje, duhej t’i dilte narkoza për të qenë i ndërgjegjshëm për vendimin që po merrej për të.
Ardian Çapja kishte zgjedhur dy mbrojtës ligjor të cilët kërkuan masa më të lehta sigurie, nisur nga kushtet shëndetësore te të arrestuarit. Ata pretenduan për arrestim të paligjshëm ndërsa përsa i përket çështjes për të cilën ai akuzohet sipas avokatëve është një ngjarje e gjykuar më parë.
Ardian Çapja ka përfunduar në spital një ditë pas arrestimit nga forcat speciale në Elbasan.
53-vjeçari ka shfaqur probleme kardiake dhe për pasojë është shoqëruar në Tiranë për kontrolle mjekësore, ndërkohë policia publikoi video nga kontrolli në banesën e familjes Çapja në Elbasan.
Sipas pamjeve, aty janë gjetur armë, radio komunikuese dhe e veshje të ngjashme me ato të policisë.
Ardian Çapja, akuzohet për vrasjen e Nezir e Gentian Beqirit. Ky i fundit, në atë kohë 35 vjeç, dyshohej se ishte i përfshirë në vrasjen e Sokol Çapjes, krim që shënoi nisjen e një sage hakmarrjes mes fiseve në Elbasan që në 16 vite ka shkaktuar disa viktima.