Ndërtimi i një pallati pa leje në Sarandë, çon në prokurori inspektoren e Bashkisë Romina Pulaj

Ndërtimet pa leje në qytetin e Sarandës kanë çuar për ndjekje penale kryeinspektoren e ndërtimit pranë Bashkisë Sarandë, Romina Pulaj.

Kjo e fundit dyshohet se ka “shpërdoruar detyrën”, duke lejuar një subjekt privat të ndërtojë disa kate shtesë mbi një godinë ekzistuese në qytetin e Sarandës.

Policia e Sarandës sqaroi për Ora News se Romina Pulaj nuk ka vepruar në kohë për parandalimin e ndërtimit pa leje.

 Kallëzimi për këtë shtetase është kryer nga njëra nga palët e përfshira në konflikt, e cila kundërshton ndërtimin pa lejë të kateve shtesë në objektin ekzistues.

Sipas materialit hetimor të përcjellë nga policia e Sarandës në prokurorinë e këtij qyteti, thuhet se Zambak Beqiri dhe Trëndelina Beqiri, kanë konflikt me Kolë Nokun, ky i fundit administrator i shoqërisë “Noku 2008”.

Kjo shoqëri ka marë një lejë ndërtimi nga bashkia Sarandë në vitin 2006, për të ndërtuar pallat në pronën e Aleko Likës, por pallati nuk është ndërtuar brenda afatit kohor prej 3 vitesh, afat kur duhej të zbatohej leja e ndërtimit.

Për shkak të djegies së lejes së ndërtimit Aleko Lila së bashku me shoqërinë “Albano Konstruksion”, kanë aplikuar sërisht për pjesë ndërtimi për një truall ku kufitarë janë Zambak dhe Trëndafile Beqiri.

Në vitin 2017 bashkia ka miratuar një leje ndërtimi, por sërisht kësaj leje i ka përfunduar afati i ndërtimit.

Gati 1 muaj më parë një shoqëri tjetër e quajtur “Noku 2008” ka filluar të ndërtojë pa lejë duke vendosur skelat dhe u futur në konflikt me personat kufitarë.

Tashmë policia e Sarandës ka filluar hetimet duke çuar materialin hetimor në prokurori për të vijuar më tej hetimet.

Lexo edhe-Denoncimi për ndërtimet në Sarandë, pronari i hotelit: Fqinji shton kate pa leje, Bashkia hesht