Ministria e Arsimit merr vendimin: Nga nesër, maturantët mësim në klasa

Ministria e Arsimit nuk do të humbë kohë për maturantët. Fill pas sugjerimit të sotëm të Komitetit Teknik të Ekspertëve, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar (DPAP) informon se mësimi në banka për maturantët e shkollave të mesme në 10 bashkitë, ku deri tani mësimi është zhvilluar “online”, fillon që ditën e nesërme, e enjte, datë 1 Prill, 2021.

Ministria njofton se nga ana e shkollave dhe strukturave janë marrë të gjitha masat e nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor duke pasur parasysh zbatimin rigoroz të masave anti-Covid.

Komiteti Teknik i Ekspertëve vendosi të mërkurën të mbaj të pandryshuar masat kufizuese, pasi siç u shprehën ata, situata e pandemisë mbetet ende delikate. I vetmi ndryshim është rikthimi i maturantëve në klasa.

Vendimi u argumentua me uljen e infektimeve në grupmoshën 15-20 vjeç si dhe vaksinimin e arsimtarëve.

“Maturat ashtu siç ka qenë kur filloi shkolla nëpër klasa duhet të zbatojnë me shumë rigorozitet protokollet e sigurisë për mbrojtjen nga infeksioni SARS-CoV-2”.