Durrës/ 49 kg kokainë në port me kontejnierë bananesh nga Ekuadori, pranga babait të Arbër Çekajt
Lidhja e ngushtë mes trafikatëve ekuadorianë me ata shqiptarë është vërtetuar sërish. Kësaj radhe në pranga ka rënë Selim Çekaj, babai i Arbër Çekaj, banues në Sauk.
Vetëm tre vite pas sekuestrimit të 613 kilogramë kokainë në kontejnerët e Arbër Çeka, policia e shtetit arriti të sekuestrojë në port 49 kilogramë kokainë këtë herë në kontejnerët e firmës së babait të Arbrit, Selim Çekaj.

Në njoftimin zyrtar pa shumë detaje të policisë së shtetit, thuhet se operacioni i koduar “Mersin” në Portin e Durrësit, u krye në bashkëpunim me autoritetet doganore.

Kokaina ishte e fshehur në një kontenier të ngarkuar me banane ishte nisur nga porti i Guayaquil në Ekuador me destinacion final Shqipërinë.
Burimet pranë policisë bëjnë me dije se kokaina nuk ishte brenda arkave të bananeve, por ishte fshehur në kolonat anësore të konteinerit.

Nga pyetjet paraprake nga ana e policisë, Selim Çekaj mohoi të këtë lidhje me drogën e gjetur brenda kontenierëve të firmës së tij.
Ai tha se është vetem tregtarë frutash dhe priste vetëm ngarkesën me banane, ndaj edhe ka kërkuar identifikimin e personave të tjerë që sipas tij janë të përfshirë me ngarkesën me kokainë.

Selim Çekaj 72 vjeç është person pa precedent penal, disponon kompanine “Ecoalmax” me qendër në Maminas.

Ai e ka regjistruar këtë firmë në mars të 2018, një muaj pas zbulimit të kokainës së të birit dhe e ka ende aktive.
I biri Arbër Çekaj, administrator i firmës "Arbri Garden" është dënuar për kokainën e kapur në shkurt të 2018-ës me 14 vite burg nga Gjykata e Posaçme.
Por këtë herë , mësohet se Selim Çekaj ka kërkuar që të marrë vetëm ngarkesën në port, pa kontejnerin.
Ndërsa në rastin e drogës së Arbër Çeka, kokaina u transportua me kontejner bashkë me bananet në magazinë e kompanisë së tij.
Një gjë e tillë lë të hapur mundësinë që poseduesi këtë herë mund të kishte dijeni për operacionin policor, hetimet për të cilin mësohet se kishin nisur para një muaji.