Kume: Hapja e listave ka futur në garë kandidatët, fleta e votimit të jetë si modeli i Kosovës
Në një intervistë për gazetaren Matilda Mcini në Ora News, eksperti i çështjeve zgjedhore, Kristaq Kume u shpreh se lista e kandidatëve në këto zgjedhje nuk është e hapur, por se ka dhënë mundësi për votë parapëlqyese.
Sipas Kumes, kjo ka bërë që të ketë një ndikim te kandidatët dhe të partitë politike, për tu futur në garë edhe mes vetes së tyre.
Kume: Lista e kandidatëve nuk është 70%, por është 100% e hapur sipas dispozitës së Kodit Zgjedhor. Por është tjetër gjë se si kjo votë përkthehet për të bërë mandat. Kjo ka bërë që efekti i hapjes së listave të jetë pothuajse zero. Ka mundësi që të japë efekte me votë parapëlqyese për subjektet që kanë një numër të konsideruar mandatesh. Kjo mënyrë e të të votuarit ka ndikuar edhe në sjelljen e kandidatëve dhe partive në këtë fushatë zgjedhore. Tashmë subjektet nuk janë në garë vetëm me partitë e tjera, por edhe mes kandidatëve në një listë partie, dhe sa më e fortë gara mes kandidatëve, aq më shumë përfiton partia.
Zgjedhësi mund të zgjedhë më të mirin dhe më pas të shohë edhe subjektin zgjedhor për ta votuar. Ata që janë kandidatë janë vlerësuar në të njëjtën mënyrë nga partia përkatëse. Ata janë të barabartë mes tyre. Sigurisht që ka njerëz nga ata që janë më të njohur në listë dhe shfrytëzohen këto figura për të marrë më shumë vota. Nëse dikush voton vetëm kandidatin dhe jo partinë, kjo votë quhet e pavlefshme, por kjo do të shqyrtohet si çështje dhe Rregullatori do të marrë një vendim që t'i shkojë partisë, por kjo varet nga modeli i fletës së votimit, sepse në rastin e një flete me numra një gjë e tillë nuk vlen dhe del e pavlefshme.
Kume shtoi se modeli më i mirë i fletës së votimit do të ishte ai si i Kosovës, pasi nuk krijon mbingarkesë për numërimin dhe nuk shkakton konfuzion për votuesin.
Kume: Për mua zgjidhja me racionale do të ishte ajo fletë votimi që ka pak informacion dhe që nuk është shumë e ngarkuar. Nëse do të shkruajmë edhe emrat e kandidatëve, p.sh në Tiranë do të kemi një fletë me 500 emra gjë që e ngatërron votuesin. Për mua duhet të jetë prioritet lehtësia e votës dhe administrimi sa më i mirë dhe i thjeshtë për procesin. Fleta e Kosovës është një fletë te e cila mund të bazohemi pasi ka treguar se ka dhënë rezultat dhe është zgjidhje efektive. Prandaj mendoj se do të ishte e udhës që të kishim një fletë të tillë, sepse një mbingarkim do të vështirësojë numërimin e votës në zgjedhje.