Ademi i përgjigjet Ramës: Njeriut që po jeton ditët e fundit të pushtetit i ka mbetur vetëm sulmi ndaj opozitës

Akuzat e Ramës nga Shiroka kanë marrë përgjigjen e kryebashkiakes së Shkodrës,  Voltana Ademi.

Në një deklaratë për mediat, Ademi tha se Ramës nuk i mbetur asnjë alternativë përveçse sulmi i opozitës.

Lexo edhe-Rama sulmon Voltana Ademin: Bashki qorre, Shkodra qyteti më i pisët në Shqipëri, peng i fantazmave të komunizmit

Teksa i kujton Ramës se Shkodra dhe shkodranët nuk kanë pranuar arrogancën e pushtetit as në kohën e komunizimit, thotë se gjuha e tij sot është dëshmi e frikës dhe dobësisë së njeriut që po jeton ditët e fundit të pushtetit.

Qytetarja e parë e Shkodrës thotë se Rama e ka qartë se në 25 prill do të largohet me votën masive të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë.

Ademi: Edi Rama bredh nëpër Shqipëri me të vetmen alternativë që i ka mbetur, sulmet ndaj opozitës.Pas 8 vjet deshtimesh në çdo fushe,pas 8 vitesh ku te vetmit qe fituan ishin oligarket e tij, pa asnje bilanc konkret dhe asnje arritje Edi Rama, i lodhur dhe i pashprese mundohet të hedhe baltë mbi PD, drejtuesit dhe anëtarët e simpatizantët e saj si e vetmja mënyrë komunikimi që i ka mbetur për të folur me shqiptarët.

Sot nga Shkodra ai më sulmoi me gjuhën dhe fjalorin e vetëm që ai njeh, atë të fyerjes dhe sharjes. Shkodra e qytetarisë dhe e kulturës nuk e ka pranuar as në kohët e egra të komunizmit arrogancën e pushtetit. Aq më pak mund ta pranojë sot. Duke sulmuar Shkodrën, qytetarët e saj dhe mua si kryetare e bashkisë, Edi Rama nuk bën gjë tjetër vetëm se dëshmon frikën dhe dobësinë e dikujt që po jeton ditët e fundit të pushtetit.

Njeriu që s'ka mbajtur asnjë premtim dhe që e ngeci Shqipërinë per 8 vjet, sot sillet rrugëve të vendit me arrogancë por lodhet me kot. Ai  e ka të qartë se në 25 prill do të largohet me votën masive të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë. Sepse ndryshimi po vjen dhe shqiptarët mezi po e presin. Në 25 prill Rama dhe arroganca e tij do të largohen dhe Shqipëria qytetare do të fitojë.

Bushati: Me 25 Prill, shkodranët kanë edhe një bust tjetër për të rrëzuar

Reagim për deklaratat e Ramës në Shkodër ka pasur edhe nga shtabi i kandidatit të PD-së për deputet në Shkodër, Helidon Bushati.

Në një deklaratë për mediat thuhet se Rama mendon se do të nënshtrojë Shkodrën, por shkodranët  me 25 Prill do të rrëzojnë bustin e komunizmit që rizgjoi Edi Rama.

Bushati: Edi Rama e di që në Shkodër është humbës dhe i humbur. Shkodra, demokratët dhe socialistët e ndershëm, ia kanë dëshmuar se edhe kur garon i vetëm në këtë qytet, humb. 

I vetmi bilanc që ka në Shkodër është bilanci i humbjes dhe i inatit. Bilanci i turpit. E ka mënjanuar Shkodrën nga qeverisja. E ka varfëruar si asnjë qytet tjetër. Është munduar ta shkërmoqë dhe këtë e pohoi edhe sot. I ka shpërndarë shkodranët në çdo cep të globit si e si ta fitojë një luftë të hapur që i ka shpallur Shkodrës.

Mendon se me gjuhën e bullizuesit mund të tërheqë vëmëndjen nga skandalet e dështimit. Mendon ta nënshtrojë Shkodrën me varfëri, shpopullim dhe krim, por nuk do t’ia dalë. Mendon se do e çojë deri në fund misionin e etërve të tij shpirtëror për të përdhosur Shkodren, por nuk do t’ia dalë.

Pse nuk ecën lirshëm në rrugët e këtij qyteti? Nësë ka investuar, pse nuk takon qytetarët? Pse sigurohet të boshatisë nga qytetarët çdo vend ku ai shkel?

E ka të kotë! Asnjë nga këto makinacione nuk do e shpëtojnë nga e përballja me qytetarët me 25 Prill. Kontratën me qeverinë e krimit, të mashtrimit dhe të varferisë qytetarët e kanë zgjidhur.

Shqipëria e Edi Ramës, ajo e Pakicës së një grushti njerëzish nuk mund t’i imponohen me presion dhe urrjetje Shqipërisë së Shumicës.

Me 25 Prill, shkodranët kanë edhe një bust tjetër për të rrëzuar. Bustin e komunizmit që rizgjoi Edi Rama!