BOOM: Familja në Ndroq jeton në shtëpinë e shkatërruar nga tërmeti, bonusi i qirasë vetëm për Tiranën

Arben Bleta nga Kërcukje i Njësisë Administrative Ndroq ankohet se ka shtëpinë e dëmtuar nga tërmeti dhe detyrohet ende të jetojë aty.

Ai thotë se shtëpia është vlerësuar DS4  dëmtimi, dhe pamjet tregojnë murrin e rrëzuar të çara të faqeve të murit në shtëpi, por nuk kanë ku të flenë.

Çadra që kanë në oborrin e shtëpisë nuk mund të përdoret pasi vetë pozicioni i shtëpisë është në pikën më të lartë të kodrës, era dhe dimri e bënë të papërballueshme jetesën aty.

Ai thotë se nuk ka ku të shkojë e s’ka marr asnjë lloj ndihme nga shteti.

Bashkëshortja e z. Arben mes lotëve  thotë se dëshiron të vdesë. As qeni nuk jeton në atë mënyrë. Ndihen të braktisur dhe kërkojnë ndihmë.

“Nuk e dimë nëse do zgjohemi të nesërmen. Me këtë frikë flemë çdo natë. Nuk kemi asnjë ndihmë nga shteti dhe s’ka as përgjigje se çfarë do ndodh me strehimin tonë. S’kemi ku të shkojmë."

Ajo na tregon çadrën që tani shërben për zogjtë e klloçkës , pasi aty nuk mund të rrihet dhe jetohet.

"Rrobat i laj përjashta me kazanin me ujë. Më mirë e vdekur se me këtë jetë kështu. Ku është shteti?”

Boom shkon në njësinë Administrative Ndroq për të pyetur për rastin e familjes Bleta.

Zyra e urbanistikës na sqaron se në fakt familjet rurale nuk kanë qenë përfituese të bonusit të qirasë.

"Familjes i është dhënë çadër pasi kontenieri nuk shkon në shtëpinë e zotit Arben. Dosja e kësaj familjeje është çuar në Bashkinë Tiranë dhe pritet vlerësimi. Ndërkohë nëse do jetë përfitues do të ketë shtëpinë në Lagjen e Re që po ndërtohet."