"Mund të mbushnim sheshin plot por…" Pjerin Ndreu: Gjithçka që është bërë në Lezhë e ka bërë Edi Rama
Takimi në Lezhë për prezantimin e kandidatëve për deputet të PS u hap nga qytetari i parë i Lezhës, Pjerin Ndreu.
Në një aktivitet me pjesëmarrje të kufizuar për shkak të pandemisë, Pjerin Ndreu lëshoi akuza ndaj demokratëve.
Ndreu: Ne mund ta bënim sheshin plot, të nxirrnim njerëz që bërtasin rrugëve. Por kjo nuk mund të bëhej. Kur diku aty vaksinohen shumë mosha të vjetra për të shpëtuar nga ajo që është sëmundja më e tmerrshme e shekullit ne nuk mund të bëjmë demonstrime të shëmtuara rrugëve të Lezhës, as në sheshin e Lezhës. Ne jemi Partia Socialiste, nuk jemi parti që infektojmë por heqim infektimin nga shoqëria.
Ndreu tha se Lezha ka nisur transformimin dhe gjithçka e bërë në këtë qytet është falë Edi Ramës dhe qeverisë së tij.
Për investimet e kryera dhe ato që do të pasojnë, ai u shpreh i sigurt në një fitore më të thellë se ajo e 2017.
Ndreu: Lezha ëdhtë në transformim total falë jush, qeverisë tuaj dhe bashkisë për projektet që ka paraqitur. Gjithçka që është bërë në Lezhë e ka bërë Edi Rama dhe qeveria e tij. Nuk di çfarë të numëroj për 8 vjet të qeverisjes së PD. Ne Lezhën do ta transformojmë me gjithë zonat në një histori ndryshe, vrulli ka nisur dhe nuk është për fushatë se do të kishin mbaruar. Bëjmë punë jo gjumë. Kemi arsye se data 25 është data e një fitoreje më të thellë se në 2017. Nuk kemi folës që shajnë dhe fyejnë të tjerët nëpër foltore por janë njerëz dinjitozë, pa asnjë rekord kriminal. Bashkë të gjithë do të bëjmë që PS me datë 26 prill të gdhihet me një fitore bindëse.
Ndërsa Rama vlerësoi punën e kryetarëve të Bashkive në këtë qark adresoi një kritikë për Ndreun.
Rama: I ngjashëm me mua në kokëfortësi, kjo shpesh herë është problem, por është problemi më i bukur kur është qëllim i njëjtë, për të këmbëngulur që puna të shkojë deri në fund, Jam krenar për çfarë faze kemi për zhvillimin e Lezhës, jo vetëm si Bashki, por edhe si qark, se edhe në Kurbin, Majlinda ka bërë aq sa bëjnë 10 burra, apo si në Mirditë prej kohësh kemi një kryetar Bashkie që është një njeri i punës, ajo që na karakterizon është përpjekja për të vazhduar fjalët me vepra, është e pamundur që t'i përputhësh totalisht, por nuk ka pasur në historinë e këtij vendit, kur fjalët dhe veprat kanë qenë të përputhura me njëra tjetrën dhe yzmeti i punës është bërë deri në fund.