Dyshimet e “rindërtimit” në Kombinat, Meta: Për kulla, qeveria dhe bashkia po shkatërrojnë pronën private
Presidenti, Ilir Meta, ka akuzuar Bashkinë e Tiranës dhe Kryeministrin se po shembin shtëpitë e banorëve në Kombinat pa respektuar ligjin. Reagimi ka ardhur pas ankesave të familjarëve, të cilët bëjnë të ditur se kanë informuar dhe trupin diplomatik.
Mungesa e transparencës me procesin e rindërtimit dhe shkatërrimi i pronës së tyre ka detyruar një grup pronarësh në Kombinat në Tiranë që të kërkojnë ndihmën e ndërhyrjen e Kreut të Shtetit dhe të selive ndërkombëtare.
Pas mungesës së një reagimi nga Qeveria dhe Bashkia e Tiranës presidenti Ilir Meta akuzon drejtpërdrejtë Edi Ramën dhe Erion Veliaj se po u rrëmbejnë pronat qytetarëve në Kombinatit.
Meta: Në mënyrë antikushtetuese, të dhunshme dhe jo transparente, Qeveria ende në detyrë dhe Bashkia Tiranë kanë nisur një proces shkatërrimi për pronat e qytetarëve në zonën e “Kombinatit” në Tiranë. Me pretekstin e rindërtimit të pronave të dëmtuara nga tërmeti dhe me alibinë e ndërtimit të një zone të re zhvillimi, Qeveria ende në detyrë dhe Bashkia Tiranë duket se me presion e dhunë po përfshijnë brenda planit për prishje edhe prona, që nuk janë prekur nga tërmeti, pa informuar pronarët se çfarë fati i pret pasuritë e tyre duke krijuar një situatë të pasigurt ligjore dhe duke nxitur një tension social të panevojshëm në këtë zonë.
Ilir Meta tregon që Qeveria dhe Bashkia e Tiranës, me fuqinë e pushtetit e kanë bërë veshin e shurdhët ndaj thirrjeve të qytetarëve dhe institucionit të tij.
Për këtë arsye Kreu i Shtetit i kërkon publikisht Ramës dhe Veliaj që të reflektojnë dhe t’i japin fund dhunimit të pronës private.
Meta: I bëj thirrje Qeverisë ende në detyrë dhe Bashkisë Tiranë, të tërhiqen menjëherë nga çdo përpjekje e procedurë antikushtetuese, që synon zaptimin e pronave private të qytetarëve për ndërtimin e kullave shumëkatëshe edhe në këtë zonë të Tiranës, por të garantojnë një zgjidhje të drejtë e objektive siç Kushtetuta e parashikon. Ndaj nuk ka VKM apo Akt Normativ, që mund të cënojë këtë të drejtë të shenjtë apo më keq akoma, t’i largojë forcërisht qytetarët nga pronat e tyre, pa një proces të rregullt ligjor.
Në Kombinat vijon prishja e objekteve ndërsa rindërtimi ende nuk ka nisur.
Por Presidenti u premton pronarëve të Kombinatit se do t’i mbrojë interesat e tyre më të gjitha mjetet ligjore.
Lexo edhe-Qeveria “shantazh” Policisë, Meta kthen për rishqyrtim ligjin për vettingun në polici


