Ardian Çapja nga burgu në spital, një ditë pas arrestimit sëmuret nga zemra

Ardian Çapja ka përfunduar në spital një ditë pas arrestimit nga forcat speciale në Elbasan. 53-vjeçari ka shfaqur probleme kardiake dhe për pasojë është shoqëruar në Tiranë për kontrolle mjekësore, ndërkohë që më herët policia publikoi video nga kontrolli në banesën e familjes Çapja në Elbasan. Sipas pamjeve, aty janë gjetur armë, radio komunikuese dhe e veshje të ngjashme me ato të policisë .

Një ditë pas arrestimit nga forcat speciale RENEA në Elbasan, Ardian Çapja ka përfunduar në spital.

I akuzuari për vrasje të cilit policia tha se i gjeti edhe armë në banesë, është nisur me urgjencë në spital, për shkak të problemeve kardiake.

Sipas informacioneve jo zyrtare Ardian Çapja është dërguar në Tiranë për kontrolle të mëtejshme mjekësore, ndërkohë që ishte në pritje për të dalë para gjykatës për masën e sigurisë.

Ndërkohë më herët policia publikoi pamjet e aksionin e forcave speciale RENEA që vuri në pranga 53-vjecarin Çapja, me akuzën e përfshirjes në vrasjen e babë e bir Nezir e Gentian Beqiri në vitin 2012.

Lexo edhe-Si u vra në gjumë Gent Beqiri, babai e tij u mbyt me jastëk dhe çanta me 50 mijë euro

Në banesën e tij u gjet ky kallashnikov dhe 5 radio komunikimi si dhe disa uniforma të ngjashme me ato të policisë.

Arma do të dërgohet për ekspertizë me qëllim zbulimin nëse është përdorur në ngjarje kriminale në vitet e fundit në qytetin e Elbasanit.

Një ditë pas operacionit “Krasta 2021”, Policia konfirmoi raportimin e Ora News se brenda kompleksit të fisit në periferi të Elbasanit u arrestua edhe Ardi Çekani.

Ky i fundit rezulton person në kërkim i dënuar për disa vepra penale ndërsa në kohën kur u vu në pranga iu kap një sasi hashashi.

Policia thotë se Çekani strehohej pranë banesës së Çapjes, por burimet thonë se ai shërbente si roje e familjes që ndër vite ka qenë disa herë objektiv i sulmeve.

Aktualisht policia thotë se vijojnë kërkimet për ndalimin e Florenc Çapjas, ndërsa burimet shpjegojnë se ai kishte dalë jashtë territorit shqiptar, përpara se finalizohej operacioni policor në kompleksin e banimit të familjes në periferi të Elbasanit.

Ardian Çapja, i konsideruar si kreu i fisit, akuzohet për vrasjen e Nezir e Gentian Beqirit.

Ky  i fundit, në atë kohë 35 vjeç, dyshohej se ishte i përfshirë në vrasjen e Sokol Çapjes, krim që shënoi nisjen e një sage hakmarrjes mes fiseve në Elbasan që në 16 vite ka shkaktuar disa viktima.