Polonia humbet Lewandowskin kundër Anglisë

Grupi I i Eliminatoreve të Botërorit Katar 2022, ku ndodhet edhe Shqipëria duket se do të ketë një luftë të ashpër për vendin e dytë, me Anglinë që nuk do të ketë probleme me kualifikimin direkt. Në prag të duelit më të rëndësishëm të këtij Grupi, atij mes Polonisë dhe Anglisë, ekipi vendas merr një lajm aspak të mirë.

Robert Lewandowski, bomberi i kombëtares dhe Bayernit humbet përballjen me “Tre Luanët” për probleme fizike. Sipas Federatës së Futbollit, 32-vjeçari ka dëmtuar njërin ligament dhe i duhet të pushojë 10 ditë çka ka alarmuar edhe drejtuesit e Bayern Munchen të cilët do të përballen pas 9 ditëve me PSG në Champions League.

Lewandowski ishte deçiziv mbrëmjen e kaluar për Poloninë ku shënoi 2 herë ndaj Andorras teksa u zëvendësua në minutën e 63’ dhe konkluzionet e mjekëve nuk ishin aspak të mira për lojtarin dhe ekipin e tij.

Një mungesë e tij favorizon më tepër Anglinë të cilët me nje fitore në Varshavë do të ecnin më të qetë me 3 fitore në 3 ndeshjet e para kualifikuese e në krahun tjetër do ta bënin më të egër luftën për vendin e dytë, për të cilin pretendon edhe kombëtarja shqiptare.