Dembele ka rilindur, Barcelona i përgatit rinovimin

Vetëm 6 muaj më parë Ousmane Dembele nuk shihej si një lojtar i rëndësishëm për Barcelonën e Koeman madje pritej largimi i tij që te katalanasit të vinte Memphis Depay.

Në pak kohë gjërat kanë ndryshuar në favorin e sulmuesit francez i cili është bërë vendimtar për lojën e Barcelonës dhe i ka dhënë Koeman shumë mundësi për përshtatjen e tij dhe të Messit në repartin e avancuar.

Në një formë të tillë, të gjithë, që nga stafi e deri te drejtuesit janë të bindur se Dembele do të bëhet akoma më i rëndësishëm ndaj dhe do të nisë sa më parë misioni për rinovimin e kontratës së francezit, e cila i skadon në vitin 2022. 24-vjeçari i cili ka vuajtur nga disa dëmtime që nuk e kanë lejuar të japë maksimunin, ka patur si synim gjithmonë të bëhet i rëndësishem te Barcelona dhe jo më kot refuzoi një ofertë tunduese nga Man. United, prandaj dhe kontrata e re nuk pritet të ketë probleme mes palëve.

Që nga Dhjetori kur Dembele u rikthye nga një dëmtim jo pak i lehtë, ka luajtur 18 ndeshje si titullar me 5 gola dhe 2 asiste, dhe rifutja e Barcelonës në garën për titull është edhe për meritë të tij pasi skuadra luan më mirë dhe Koeman ka gjetur pozicionin e duhur për të dhe Messin.

Për presidentin e ri, Laporta dëshira e Dembele për të qëndruar shmang një problem të madh pasi në rastin e kundërt, Barcelona do ta humbiste me parametër zero kur kujtojmë që në 2017 u shpenzuan 104 mln euro për kartonin e tij, pa llogaritur 40 mln euro të tjera në formë bonusi.