Rama: Në bisedime për të sjellë fabrikën e prodhimit të vaksinave në Shqipëri, brenda majit vaksinojmë 500 mijë qytetarë

Veç sigurimit të vaksinave anti-Covid, kryeministri Edi Rama pas mbërritjes në Rinas nga Stambolli ndau lajmin me gazetarët se ka nisur bisedimet për të sjellë në Shqipëri fabrikën e prodhimit të vaksinave.

Shefi i qeverisë tha se objektivi i qeverisë së tij është që brenda muajit maj, por me një tolerancë kohe deri në fund të qershorit, të jenë vaksinuar 500 mijë qytetarë shqiptarë.

Rama: Dua të ndaj një tjetër lajm shumë të mirë, njëkohësisht kemi nisur edhe bisedat për të sjellë në Shqipëri fabrikën e prodhimit të vaksinave, një fabrikë e teknokogjisë së lartë që aktualisht është nga kompanitë më të mëdha farmaceutike në botë që bën edhe distribucionin e Sinovac. Një fabrikë prodhuese që do të hapë një tjetër faqe të rëndësishme në zhvillimin e sektorit të shëndetësisë në vendin tonë dhe do të jetë një pikë shumë e rëndësishme referimi për prodhime të cilësisë më të lartë.

Sot ne sjellim në Shqipëri 192 mijnë doza dhe brenda 60 ditësh por me një kalendar më të shpejtë se 60 ditë ne do të kemi 1.2 milion doza plus që na mundëson që menjëherë të shtrijmë vaksinimin në gjithë territorin dhe të nisim një proces shumë intensiv vaksinimi. Objektivi ynë është që deri në fund të muajit qershor, me një tolerancë se ne duam brenda majit të kemi vaksinuar gjysmë milioni shqiptarë. Sot që flasim në Shqipëri kemi 282 mijë vaksina, plus vaksinave që sapo mbërritën kemi edhe vaksinat AstraZeneca, Pfizer dhe Sputnik që bashkë janë 980 mijë.

Presim që këtyre vaksinave tu shtohen edhe 70 mijë Pfizer, 80 mijë AstraZeneca dhe 25 mijë vaksina Sputnik. Duke i bashkuar me 106 mijë vaksinat që janë në proces me BE bëjnë në total 871 mijë vaksina sëbashku me shumën e kontraktuar gjysmë milioni vaksina Sinovac. Kemi të kontraktuar 500 mijë vaksina Sinovac  por kemi siguruar 1 milion.500 mijë Pfizer janë të kontraktuara. Janë 1 milion 140 mijë të parapaguara me Covax. Në total shkojnë 2 milion  e 140 mijë. Duke pasur në gatishmëri nënshkrimin  e gjysëm milionit tjetër Sinovac ne shkojmë në 2 milion e 640 mijë vaksina të siguruara sot që flasim.

I pyetur se çfarë na duhet fabrika e prodhimit të vaksinave pas sigurimit të kësaj sasie dozash, Kryeministri  tha se historia e pandemisë nuk mbyllet këtu dhe sipas të gjitha gjasave vaksina anti-Covid do të bëhet rregullisht si vaksinë gripi.

Rama: Fabrika nuk është ndërtuar sot që ra pandemia, është një fabrikë e cila ka një traditë shumë vjeçare, e themeluar që në vitin 1700 e ca. Flasim për prodhim produktesh speciale farmaceutike ku hyn vaksina e gripit, hepatitit etj. Mos mendoni që historia do të mbyllet kaq kollaj sepse sipas të gjitha gjasave vaksina anti-Covid do të jetë një vaksinë që do të bëhet rregullisht, si vaksinë gripi. Fabrikën nuk do ta paguani ju, prodhimet e kësaj fabrike lehtësisht mund të eksportohen dhe patjetër që mbulojnë dhe nevojat e tregut vendas.

Në këtë gjithë proces fiton Shqipëria dhe shëndetësia. Kemi të siguruar 2 milion e 640 mijë vaksina por nuk mjaftojnë për të përmbyllur procesin deri pranverën e ardhshme, na duhen edhe 1.8 milion të tjera për të realizuar të dy dozat për të gjithë ata që duhen vaksinuar teorikisht sigurisht një pjesë nuk ka dëshirë të bëjë vaksinën, vaksina nuk është me detyrim.

Lexo edhe-Lasgushi” me 192 mijë vaksina kineze nga Turqia ulet në Rinas, Rama: Mos dyshoni kurrë që do t’ia dalim!

Rama tha se tashmë vaksinimi nuk është më çështje kategorish duke hapur mundësinë për vaksinimin e personave me sëmundje kronike.

Rama: Do të vaksinohen të gjithë, nuk është më çështje kategorish. Me kategoritë më të riskuara të cilat mund ti përmbyllnim dhe  sot kemi arritur në 56 mijë të vaksinuar mjekë, infermierë dhe një numër modest të moshuarish ishin si rezultat i dozave në dispozicion. Do të shtrihemi dhe vaksinojmë masivisht.

Kryeministri Rama tha se me sigurimin e dozave të reja të vaksinës anti-Covid krijohen kushtet për të lehtësuar maksimalisht sezonin turistik.

Rama: Gjendemi në një pozicion fantastik për të realizuar së pari objektivin më të afërt që është të lehtësojmë maksimalisht sezonin turistik. Kemi vendosur qershorin si afat maksimal por kemi marrë masat të realizojmë vaksinimin e gjysmë milioni qytetarësh brenda majit.Objektivi përfundimtar është që brenda pranverës së ardhshme ne të kemi vaksinuar të gjithë popullësinë e vaksinueshme sepse bebet dhe fëmijët e vegjël nuk vaksinohen për këtë pandemi. Të përmbyllim këtë luftë në të njëjtën kohë me shumicën e vendeve të BE.

Së bashku me Ministren e Shëndetësisë kemi diskutuar dhe Ministrja ka marrë masat me autoritetet shëndetësore që procesi i përgjithshëm i vaksinimit të fillojë menjëherë sapo vaksinat të kalojnë procedurën e regjistrimit dhe shpërndarjes në të gjithë territorin dhe të krijojmë një orar të posaçëm vaksinimi deri në mesnatë, nëse është e nevojshme do të bëhet me tre turne. Do të jepet një leje e posaçme për të gjithë të moshuarit që do të jenë në regjistrat e vaksinimit nga moshat më të larta dhe deri vaksimi deri në mesnatë që të kemi të vaksinuar të gjithë shqiptarët mbi moshën 60 vjeç.

Rama shpjegoi edhe pse rishqyrtoi qëndrimin e tij të mëparshëm për të sjellë në Shqipëri vaksinën kineze dhe ruse.

Rama: Dinamika e procesit. E njëjta gjë që shtyn kancelaren e Gjermanisë që të thotë që edhe nëse BE nuk do të aprovojë vaksinën ruse ne do të marrim vaksinën ruse, diçka që nuk mund të mendohej para 6 muajsh. Jeta është dinamike.

I pyetur nëse investimi i tij për të siguruar një numër të madh vaksinash lidhet me nisjen zyrtarisht të fushatës elektorale, ai ka këtë përgjigje:

Rama: Nëse do të kishte qenë e mundur të merreshin një ditë më parë,10. 20 ditë më parë, nuk do të prisja të ndodhte ky përkim.

Ndërsa Komiteti Teknik i Ekspertëve ka lënë në fuqi masat kufizuese,  shefi i qeverisë tregon se sa persona do të ketë në shesh sot PS.

Rama: Grumbullimi sipas ligjit është i kufizuar por nëse këtu jeni 10 dhe nëse 20 metra më tutje janë 10 të tjerë nuk përbën shkelje të ligjit por aftësi krijuese për të mundësuar që në shesh të jenë më shumë se 10 veta por mos të ketë grumbullim më të madh se 10 veta.

https://youtu.be/fPJBlp_OVk4