Shkodër/ Nëna e 11 fëmijëve humb jetën në landfillin e Bushatit, e goditi presa e makinerisë
Një grua humbi jetën si pasojë e një aksidenti tragjik në punë brenda landfillit të Bushatit në Bashkinë e Vaut të Dejës.
Viktimë mbeti Katrina Binaku 61 vjeçe, nënë e 11 fëmijëve.
Ajo punonte prej disa kohësh aty, si mundësia e vetme për të mbajtur familjen që jeton në fshatin Paçram në gjendje të rëndë ekonomike, pasi bashkëshorti mësohet se është i sëmurë.
Sipas burimeve gruaja u godit nga presa e një makinerie në shtyllën kurrizore në sektorin e presimit të mbetjeve.
Ajo është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Shkodrës, ku mjekët thonë se mbërriti e vdekur.
Bashkë me 61 vjeçaren në Landfill punonin dhe e motra e vëllai të cilët kanë qenë dëshmitarë të skenës tragjike.
Familjarët dhe koleget janë marrë në pyetje nga policia për të zbardhur dinamikën e ngjarjes që paraprakisht është cilësuar si aksidentale.
Por do të jenë ekspertët ata që do të dalin në një përfundim mbi shkaqet e ngjarjes tragjike pas verifikimeve për kushtet e sigurisë në punë brenda landfillit të Bushatit zbatimin e procedurave.
Informacion Paraprak i Policise
Më datë 25.03.2021, rreth orës 10.30, në urgjencën e Spitalit Rajonal Shkodër ka mbërritur pa shenja jete, shtetasja K. B. 61 vjeçe, banuese në fshatin Paçram, Vau Dejës.
Nga verifikimet paraprake rezulton se është punonjëse në landfilldin e Bushatit dhe është demtuar aksidentalisht në punë
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe po vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.