Presidenti Meta mesazh urimi për ditëlindjen e shkrimtarit Zija Çela: Personalitet i shkëlqyer i letërsisë shqiptare
Zija Çela, një nga shkrimtarët më të njohur shqiptarë feston sot 75 vjetorin e lindjes së tij.
Presidenti i vendit, Ilir Meta me anë të një postimi në facebook i ka shprehur urimet më të përzemërta dhe falenderimet mirënjohëse për veprat që ai ka lënë pas.
"Me dinjitetin dhe fisnikërinë e lartë të krijuesit, që kurrë nuk u përkul para çdo sistemi politik, me fuqinë e talentit të rrallë, me madhështinë magjepsëse të përdorimit të gjuhës shqipe, me urtësinë dhe thellësinë e tij të mendimit, Zija Çela është një personalitet i shkëlqyer i letërsisë shqiptare.
Një shkrimtar misionar, që ndërgjegjen e tij krijuese e mbajti gjithmonë të lidhur fort me ndërgjegjen qytetare dhe kombëtare, duke i qëndruar besnik normave të themelit të letërsisë, vlerave dhe moralit njerëzor, Zija Çela është një model frymëzimi për brezat e krijuesve të rinj dhe burim krenarie për shoqërinë tonë.
Sot, në 75-vjetorin e Tij, i shpreh shkrimtarit e mendimtarit tonë të madh Zija Çela, urimet më të përzemërta dhe falenderimet më mirënjohëse për veprat, që na ka lënë trashëgimi. Edhe 100 pranvera të tjera, shëndet, jetë të gjatë dhe suksese të reja në krijimtarinë e vyer! " ka shkruan Presidenti në Facebook.
Zija Çela u lind në qytetin e Shkodrës. Si autor u bë i njohur nga librat nme tregime dhe romanet e tij, duke spikatur Gjaku i dallëndyshes”, “Gjysma e Xhokondës” dhe “Banketi i hijeve”.