E infektuar me Covid-19, humb jetën në moshën 57-vjeçare, infermierja nga Librazhdi

Infermierja Fatime Poçi, ka humbur jetën, ditën e sotme për shkak të Covid-19.

Lajmin, e kanë bërë të ditur “Urdhri i Infermierit shqiptar”. 57-vjeçarja, punonte prej disa vitesh pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik në Librazhd. Urdhri i Infermierit, i ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve dhe gjithë të dashurve të saj.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të koleges sonë të nderuar Znj. Fatime Poci, 57 vjeçe prekur nga Covid-19.

Ndarja nga jeta e znj . Poci, është një humbje e madhe për familjarët, miqtë, kolegët dhe gjithë ata që e njihnin dhe patën fatin të punonin me të, me nje eksperiencë disa vjeçare në profilin e infermieristikës pranë Drejtorisë së Shëndetit Publik në Librazhd dhe pranë Qëndrës Shëndetësore nr.4 në Tiranë. Në emër të të gjithë kolegëve Urdhri i Infermierit të Shqipërisë i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve, miqve, kolegëve dhe gjithë të dashurve të saj për këtë humbje të pazëvendësueshme.
"- thuhet në njoftim.