Baçi: Në Durrës ka rënë Shqipëria 3D e Kryeministrit, Brukseli u mor me një parti që ka program

Opozita është optimiste për rrotacionin politik në 25 prill. Agim Baçi, kandidat për deputet i PD-së në qarkun e Durrësit, thotë se ndryshimi do të vijë nga qyteti bregdetar.

Baçi: Durrësi do të jetë qyteti që do ti tregojë Ramës realitetin e vërtetë të situatës së tij në terren. Në Durrës ka rënë Shqipëria 3D e Kryeministrit. Gjatë këtyre ditëve kam treguar shumë të majtë që ndihen të fyer nga ata njerëz që kanë drejtuar Durrësin me mbështetjen e Kryeministrit. Socialistët e vërtetë ose do të heshtin ose do të vijnë afër të djathtës për shkak të fyerjes që i ka bërë kaq hapur me njerëz kaq të fortë duke e drejtuar me telefona dhe gangstera.

I ftuar në Rtv Ora, Baçi deklaron se beteja nuk do të jetë e lehtë pasi maxhoranca ka nisur intimidimin dhe presionin ndaj votuesve në këtë qark.

Baçi: Nuk do t'ja lejoj vetes të nxjerr në pah njerëzit që më janë ankuar se shefat e tyre u kërkojnë të dorëzojnë kartat e identitetit apo të gjejnë 15-20 veta se shefat u kanë dhënë fjalën shefave më të mëdhenj që do të kenë kaq shumë votues apo kaq mbështetës. Shijaku dhe Durrësi kanë qenë qytete që nuk kanë pasur frikë as në diktaturë dhe të jenë një qytet sot që mund të drejtohen nga një bandit apo disa banditë që marrin në telefon dhe caktojnë numrin e deputetëve, kjo është fyese për Durrësin. Nuk e besoj që ata qytetarë atje do të shkojnë si një treg bagëtish që mund tu blejë vota. Nuk them që janë të gjithë kaq të palëkundur, nuk them që nuk ka cepa që do të shfrytëzojë PS lidhur me ata njerëz që janë në kufijtë e varfërisë ekstreme dhe mund ti joshë me pak para, nuk i mirëkuptoj por në këtë situatë kaq të vështirë ekonomike ku u duken dhe 100 mijë lekë të vjetra një zgjidhje shumë e madhe mundohem ti shikoj me sy tjetër. Por pjesa më e madhe e Durrësit, Shijakut, Krujës dhe Fushë Krujës nuk mendoj se mund të thyhen.

Punësimet elektorale për fushatë, të cilat nuk kanë munguar edhe në Durrës, ai i shikon blerje indirekt të votës.

Baçi: Janë 10 mijë të punësuar, edhe qeveria nuk di si të fshehë këto punësime politike që kanë vetëm një mision: Të bëjë sa më shumë nga ata që japin votën.

Sëbashku me Elbasanin, edhe Durrësi konsiderohet një qark problematik.

Baçi: Vrasja e të shtunës në Durrës tregon se situata nuk është kaq e qetë. Luhen interesa shumë të mëdha, është porti, është një qytet i rëndësishëm shumë afër Tiranës. Por e ka fuqinë e madhe ta shpërfillë këtë gjë.

Videokonferenca e kryetarit të Partisë Demokratike Basha me komisioneren e BE-së, Maria Gabriel,është kthyer në epiqendrën e debatit mes tij dhe kryeministrit Rama, i cili ka reaguar në twitter.

Sipas kreut të qeverisë, prania e komisioneres në aktivitetin online politik të Bashës është një ndërhyrje në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, duke shtuar se është në pritje të një përgjigjeje zyrtare nga BE.

Baçi: Kemi një parti shtet dhe tani një kryeministër që xhelozohet apo e shfaq hapur nervozimin e tij për këtë bashkëbisedim që ka pasur Basha me zyrtarët e Brukselit që ka të bëjë me qeverisjen e ardhshme. E kuptoj nervozimin e zotit Rama sepse ndjen ndryshimin e kahut, marrjes seriozisht të opozitës për programin, Brukseli u mor me një parti që ka program, Rama nuk ka program vetëm tepsi. Mua më rezulton në terren që i vetmi program dhe e vetmja alternativë që kanë kandidatët e PS ku shkojnë është të gjejnë cilët janë njerëzit me reputacion që mund të blejnë vota. Kjo më trishton. Nuk mund tu thotë më asgjë.

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti Besjana Kuçana