Tempora - Si u shkatërrua trashëgimia kulturore në Shqipëri për t'i lënë vend betonit
"Sot më shumë se kurrë, trashëgimia kulturore, ka nevojë për një vizion afatgjatë zhvillimi. Është e domosdoshme dhe urgjente të kryhet menjëherë diagnostikimi i detajuar dhe fizik i gjendjes së trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin. Do të përpilohet harta e riskut për të gjitha monumentet e veçanta, por edhe për qendrat historike dhe parqet arkeologjike. Do të realizohet përditësim i rregullt dhe rigoroz i listës, si dhe verifikimi i statusit të monumenteve të shpallura dhe atyre të propozuara për heqje nga lista. Do të vlerësohen me përparësi të gjitha rekomandimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore dhe do të hartohet një plan veprimi energjik në përputhje me skadencat e dhëna nga UNESCO. Për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit do të kryhet verifikimi i denoncimeve të bëra në media lidhur me dëmtimet e trashëgimisë kulturore dhe do të ndiqen me rreptësi të gjitha ngjarjet."
Ky është programi i qeverisë së Edi Ramës, i hedhur e zeza mbi të bardhë në vitin 2013 për programin e socialistëve mbi ruajtjen e trashëgimisë kulturore.
Sot 8 vite me vonë ky bilanc jo vetëm nuk është bërë, llogari nuk jepet, por pasojat në trashëgiminë kulturore dhe historike janë tejet të rënda.
Në vijim janë disa nga rastet flagrante se si u veprua me monumentet e kulturës nga pushteti i Edi Ramës dhe po e nisim nga fundi.
Materniteti Mbretëresha Geraldinë shembet natën, në orët e ndalim-qarkullimit dhe pa asnjë konsultim apo diskutim publik.
Në një video të postuar në 2 Mars në profilin e tij në rrjetet sociale, kryeministri Rama shkruante se godina ishte e dëmtuar nga tërmeti dhe se do të zgjerohej nga rikonstruksioni.
Godina e maternitetit historik të Tiranës është përfshirë në fondin e objekteve me status special dhe/ose monument kulture, që i përkasin një periudhe mjaft interesante të modernizimit të kryeqytetit.
Asnjë autoritet nuk u përgjigj, përpos Drejtoreshës së Maternitetit, që garantoi për ruajtjen e elementëve historikë të një godine që shembet për shkak të rrezikut nga lëkundjet e tërmetit.
Po prej lëkundjeve të tërmetit u prodhuan shumë alibi për t’i vënë ruspat një tjetër objekti të ansamblit historik të qendrës së Tiranës. Teatri Kombëtar pas një rezistence të gjatë shembet natën, në kushte pandemie e madje duke rrezikuar seriozisht jetën e qytetarëve që vijonin ta mbronin.
Çështja ndodhet në Gjykatë Kushtetuese ku janë depozituar dëshmitë e faktet e shkeljeve të ligjit. Me një sërë vendimesh të njëpasnjëshme në 2017 dhe më pas me atë të 3 tetorit 2018, qendra e Tiranës, humbi më shumë së gjysmën e sipërfaqes së saj që mbrohej sipas legjislacionit në fuqi.
Vendimi i cili ndryshoi kufirin mbrojtjes të këtij Ansambli, nuk shpalosi arsyetim shkencor se përse godina si: Teatri Kombëtar, vilat e Toptanëve – monumente kulture kategori e parë; Varri i Sulejman Pashës-monument kulture kategori e parë; Kabina e parë elektrike e qytetit-monument kulture kategori e dytë; Kulla e Sahatit të Tiranës-monument kulture kategori e parë; Stadiumi Kombëtar-monument kulture kategori e dytë, etj., u lanë jashtë kufirit të zonën e tyre të mbrojtjes.
Dhe me këto vendime sot Shqipëria ka një stadium me kullë pikërisht në vendin ku ishte Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”. Mjaft kundërshti nga ekspertët, shoqëria civile por socialistët përdorën forcën e pushtetit për të çuar deri në fund qëllimin e tyre.
Kështu do të ndërhyhej edhe tek Kalaja e Tiranës, e prekur në identitet nga harku prej guri i portës së kalasë deri tek shtrimi me beton i sipërfaqes së tokës ngjitur me murin rrethues të kalasë.
Nuk kursehet as Muzeu i Shkencave të Natyrës një tjetër godinë e trashëgimisë kulturore që shembet për të vendosur aty beton të ndërtesave shumëkatëshe me leje ndërtimi nga pushteti lokal.
Vila të tëra me vlera historike janë shembur, të cilat sipas dokumentacionit ligjor, kanë gëzuar statusin ‘Monument Kulture’ dhe nuk ka një dokument zyrtar publik që të deklarojë arsyetimet shkencore të këtij vendimi. Në vend të tyre janë ngritur rrokaqiej betoni.
Por nuk kursehet trashëgimia kulturore edhe ne qytete. Në Durrësin historik Veliera dëmton trashëgiminë arkeologjike. Por nuk mbaron me kaq, për BIRN, Profesoresha e asociuar Brikena Shkodra ngriti alarmin se thesare e Durrësit antik gjenden nën themelet e pallateve të reja dhe se aktiviteti I rindërtimit në zonën arkeologjike A të rëndësisë së veçantë në Durrës po kryhet pa praninë e specialistëve të arkeologjisë.
Mësonjëtorja në Korçë, e para shkollë shqipe, sot e rikonstruktuar nga socialistët nuk është më ajo e para. Emri i saj është ndryshuar, së bashku me atë të muzeut duke zhbërë një fakt historik ndërsa obelisku ABC me pendën dhe kallamarin e bojës u zhvendosën.
Po ashtu një sërë punimesh arkitektonike kanë ndryshuar çfarë njohim historikisht. Efekte Kjo është vetëm një pjesë e monumenteve kulturore që janë zhdukur shkatërruar apo tjetërsuar nga pushteti i socialistëve në këto 8 vite.
Para pak ditësh një grup ekspertësh ndërkombëtarë të trashëgimisë kulturore të cilët kanë punuar në Gjirokastër i kanë kërkuar kryeministrit Edi Rama të ndalojë ndërtimin e Bypass-it, duke theksuar se nëse ky projekt përfundon, mund t’i kushtojë Gjirokastrës statusin e saj si pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.
Letra është iniciuar prej Stephan Doempke, ish-koordinator programi i UNESCO/UNDP mbi trashëgiminë kulturore në Shqipëri, i cili ka jetuar katër vite në Gjirokastër, ndërsa tani është kryetar i World Heritage Watch, një rrjet global i 180 organizatave jo qeveritare, i cili monitoron Vendet e Trashëgimisë Botërore dhe raporton në UNESCO.
A kemi për të parë më ende?