Yuri Kim "nuk i ndahet" Tom Doshit, reagon ashpër ndaj partive: Nga çfarë keni frikë? Pse heshtni?

Ambasadorja amerikane në Tiranë, është investuar  në mënyrë intensive të pastrojë listat e kandidatëve për deputetë nga njerëz të korruptuar .

Me tu kthyer nga Shkodra ku ajo zhvilloi takime me drejtues të qarqeve të dy partive më të mëdha PS e PD, diplomatja amerikane me një mesazh të drejtpërdrejtë ju drejtua partive politike të cilët i etiketoi si "të tjerët" duke u kërkuar atyre të distancohen prej personave të shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara .

Lexo edhe: Yuri Kim porosi PS e PD në Shkodër: Nuk lejojmë tjetërsim vote

Duke iu referuar kandidatit të PSD Tom Doshi në këtë postim në faqen e saj zyrtare ne Twitter, Kim shkruan:"Ne theksojmë se Partia Demokratike dhe të tjerët nuk duan që në Parlament të jetë dikush i shpallur nga SHBA si non-grata për korrupsion domethënës.

Për të tjerët: Nga se keni frikë? A është e ‘dobishme’ që të heshtni? Pse i lini njerëzit të mendojnë se jeni ‘aleatë’? A është kjo ajo që meritojnë votuesit shqiptarë? Shqipëria meriton më mirë."

Më herët, pas vizitës në Shkodër, ambasada amerikane publikoi një mesazh nga diplomatja Kim, e cila pasi takoi drejtuesit politikë të këtij qarku , bisedoi dhe me qytetarë të Shkodrës me të cilët siç ajo bën të ditur ndau me ta detaje të rëndësishme për problemet dhe shpresat për fëmijët e tyre.

Kim bën të ditur se ka folur me qytetarë për demokracinë dhe klimën e  biznesit me synim sjelljen e investimeve amerikane ne vëri të Shqipërisë. Por sërish prioritet i saj mbetet paraqitja para zgjedhjeve e kandidateve të pastër në mënyre që dhe procesi të jetë i tillë.

"Njerëzit që i bënë ballë pushtuesve osmanë dhe luftuan diktaturën komuniste duhet t'i thonë JO armikut të ri: JO kandidatëve të korruptuar, JO blerjes së votave, JO dhunës politike. Qytetarët duhet të përdorin votat e tyre për të zgjedhur të ardhmen e tyre," shprehet Kim.

 Edhe para publikimit të listave , ambasadorja Kim ka bërë në mënyrë të përsëritur thirrje për lista të pastra. deri tani KQZ ka në verifikim emrat për të cilët ka indicie që mund të jenë të përfshirë në afera korruptive apo kriminale .

Vizita në Shkodër  e ambasadores amerikane vjen pas asaj në Elbasan. Kryeqendra e veriut konsiderohet si një nga zonat e nxehta të zgjedhjeve të 25 prillit, pasi veç partive të mëdha, atje kërkojnë deputetë edhe LSI, si dhe  Partia Socialdemokrate e Tom Doshit si  edhe lëvizja e Jozefina Topallit.

Lexo edhe: Dekriminalizimi merr në dorë emrat e 9 kandidatëve për deputet, mes tyre dhe Tom Doshin