“Vrasësi” i trembet hakmarrjes, i dyshuari për ekzekutimin e Shkëlzen Kastratit: Frikë nga hasmëria

Gjykata e Fierit vendosi të mbajë në qeli 37-vjeçarin e dyshuar si ekzekutor të Shkëlzen Kastratit më 1 Shkurt. Albert Zaja në gjykatë, mohoi akuzën por kërkoi të qëndrojë në qeli, pasi tha se tashmë i trembet hasmërisë.

Albert Zaja, ekzekutori i dyshuar Shkëlzen Kastratit më 1 shkurt të këtij viti, u la në burg nga Gjykata e Fierit që rikonfirmoi masën e sigurisë të dhënë në mungesë.

Me kapuç në kokë e maskë anti-Covid për të fshehur fytyrën, 37-vjeçari i dyshuar si anëtar i një grupi vrasësish me pagesë shoqërohej nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që ishin angazhuar edhe për sigurinë jashtë ambienteve të gjykatës.

Pas dyerve të mbyllura të gjykatës, 37-vjeçari tha se ndjehet i kërcënuar për jetën ndaj kërkoi që të mos mbahet në burgun e Fierit.

Lexo edhe: Në gjunjë, me baltë dhe i mbërthyer nga forcat RENEA, ja momenti i arrestimit të 37-vjeçarit në Nikël

"Ditën e vrasjes kam qenë në Vlorë me makinën e një shoku e më pas jam kthyer në shtëpi.Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen, por ndihem i rrezikuar nga hasmëritë.Kërkoj të dërgohem në një burg tjetër të sigurisë së lartë, pasi këtu në Fier kam frikë për jetën."

Kërkesa nuk u mor parasysh nga ana e trupit gjykues i cili vendosi të rikonfirmojë masën “burg pa afat” bazuar mbi kërkesën e prokurorisë që thotë se ka prova të përfshirjes në krim.

37-vjeçari, Albert Zaja, është i vetmi i arrestuar i grupit të dyshuar të vrasësve me pagesë që vranë 42-vjeçarin Kastrati në makinën e tij në rrethrrotullimin e Sheqit.

Të dyshuar si bashkëpunëtorë të tij në këtë vrasje janë Elmir Tufa, 29 vjeç, Elson Xheçuka, 27 vjeç, dhe Silvio alias Roland Cara 39 vjeç, të cilët janë ende në kërkim nga policia.

Por hetimi sipas burimeve ende nuk ka arritur të zbardhë kush ishin porositësit e ekzekutimit të Shkëlzen Kastratit, familjes së të cilit ndër vite i janë bërë disa sulme.

https://youtu.be/SU0nuUTs2dk