Nga lider i studentëve në i burgosur në Serbi e Kosovë deri te fitorja e 14 Shkurtit, rrugëtimi politik i Albin Kurti

Nga lider i studentëve, i burgosur në Serbi e disa herë në Kosovë, te opozitari që hodhi gaz lotsjellës në Parlament dhe së fundmi kryeministër i vendit pas një fitoreje plebishitare në zgjedhjet e parakohshme të 14 Shkurtit.

Ky është rrugëtimi politik i Albin Kurtit, i riu “rrebel” që pas shumë përpjekjesh, në parlament dhe në rrugë, arriti të bënte për vete qindra mijëra qytetarë të Kosovës, të cilët i besuan qeverisjen e vendit, ndërsa u dhanë “shuplaka” të forta partive të tjera, tradicionale, që pas çlirimit e kishin provuar disa herë drejtimin e shtetit më të ri në Europë.

Një ditë më parë ai u votëbesua në Kuvend si kryeministri i ri i Kosovës, ndërsa sot mori zyrtarisht detyrën nga paraardhësi i tij Avdullah Hoti.

Lexo edhe: Votëbesohet në Kuvend, Albin Kurti kryeministri i ri i Kosovës

Vetëvendosje do të ketë në Kuvend 58 ulëse, si asnjë forcë politike tjetër në Kosovë, ndërsa në zgjedhejt e fundit parlamentare.

Kush është Albin Kurti?

Albin Kurti ka lindur më 24 mars 1975 në Prishtinë. Ai iu bashkua Kryesisë së Unionit të Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës në gusht 1997, i cili organizoi protesta paqësore, jo të dhunshme për lirimin e ndërtesave dhe ambienteve të universitetit, të cilat u pushtuan nga autoritetet e regjimit serb.
Kur filloi lufta në Kosovë, në gusht 1998, Kurti filloi të punojë si Sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Demaçi. Kur filluan bombardimet e NATO-s në Serbi dhe Kosovë në mars të vitit 1999, Kurti qëndroi në Prishtinë, dhe, u arrestua nga policia serbe më 27 prill 1999. Kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova më 10 qershor, Kurti dhe mbi dy mijë shqiptarë të tjerë u transferuan në burgjet serbe. Për shkak të presionit ndërkombëtar, Kurti u lirua më 7 dhjetor 2001.
Më 23 prill 2003, Albin Kurti u diplomua në Fakultetin e Elektroteknikës në Universitetin e Prishtinës, drejtimi i Telekomunikacionit me Kompjuterikë.
Në qershor 2005, Albin Kurti me aktivistë të tjerë të Rrjetit të Aksionit për Kosovën (Kosova Action Network) krijuan subjektin Lëvizja VETËVENDOSJE!. Ai ishte Kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! deri në mars të vitit 2015. Ai garoi përsëri në zgjedhjet e brendshme për Kryetar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në janar të vitit 2018 dhe i fitoi ato.
Në periudhën 2005-2017, Kurti kaloi rreth një vit e gjysmë si i arrestuar nga pushtetet e UNMIK-ut, EULEX-it dhe Republikës së Kosovës.
Albin Kurti ka qenë deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kuvendin e Republikës së Kosovës për tre mandate me radhë. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, Kurti ishte kandidati që fitoi numrin më të madh të votave në vend. Ndërsa në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 6 tetor 2019, Albin Kurti dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! fitoi numrin më të madh të votave.
Ai ka botuar me qindra artikuj, dhe është ftuar në universitete të ndryshme të njohura brenda dhe jashtë vendit.
Kurti është i martuar me shtetasen norvegjeze Rita Augestad Kndusen, martesë nga e cila ka ardhur në jetë edhe vajza e tyre.

VIDEO-LAJMI I "EVROPA E LIRË" QË TREGON RRUGËTIMIN POLITIK TË KURTIT:

Lexo edhe: Qeveria Kurti 2, pandemia dhe rimëkëmbja ekonomike në fokus, paralajmëron shkarkime