Qeveria Kurti 2, pandemia dhe rimëkëmbja ekonomike në fokus, paralajmëron shkarkime

Pas seancës së Kuvendit të hënën, sot  kryeministri Kurti ka zhvilluar mbledhjen ceremoniale të qeverisë së Kosovës. Kurti cilësoi prioritet vënien nën kontroll të pandemisë së koronavirusit dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Sipas protokollit zyrtar dhe atij anti-Covid, Albin Kurti ka marrë këtë të martë detyrën nga ish-kryeministri Hoti.

Në mbledhjen ceremoniale të kabinetit të ri Kurti 2, pandemia dhe ekonomia e vendit ishin në fokusin e Kryeministrit të ri.

Kreu i ekzekutivit tha se pret nga ministrat e tij plane konkrete për vendimet që do të marrin.

“Ne ende jemi sot në një krizë shëndetësore. Vetëm dje patëm 827 raste të reja dhe 16 të vdekur. Këta nuk janë vetëm numra por janë jetë njerëzish. Andaj duhet të punojmë me urgjencë që të ulim rastet. Por duhet të kemi plane te zbatueshme që të ruajmë shëndetin e qytetareve. Duhen rezultate konkrete. Ne do të punojmë si ekip por rezultati varet prej secilit nga ju dhe ekipit që ju drejtoni. Nga zyra ime do të ketë bashkëpunim por edhe veprim. Në ditët në vazhdim pres nga secili prej jush të vini me propozime konkrete, të cilat i kemi identifikuar me vite e që kërkojnë zgjidhje.

Unë besoj në dijen dhe kapacitetin tuaj, është koha që ju të dëshmoni para qytetareve se në pozitat që jemi vendosur jemi meritor. Përtej veprimeve urgjente për menaxhimin e pandemisë duhet të veprojmë shpejt që të ndalim humbjet financiare nga ndërmarrjet publike, por edhe të ndalim recesionin ekonomik duke ndihmuar sektorin privat, t’i shpëtojmë vendet e punës. Pres që në tavolinën time të vijë urgjent plani për menaxhimin e pandemisë, po ashtu edhe plani për ringjallje ekonomike. Le të punojmë me nder e përgjegjësi. Le të përvjelim mëngët dhe të fillojmë punët e mëdha që na presin neve dhe angazhimin e përditshëm që pritet prej neve”, tha ai.

Kurti paralajmëroi edhe shkarkime në ndërmarrjet publike.

“Aty ku gjejmë shkelje të ligjit në ndërmarrje publike, duhet të veprojmë shpejt, edhe në vendosjen e një menaxhmenti që ta kthej ndërmarrjen publike në mbështetëse të ekonomisë. Pres që në tavolinën time të vijë plani për menaxhimin e pandemisë mirëpo edhe ringjallje ekonomike. Të kërkojmë ndihmë dhe bashkëpunim nga të gjithë. T’i përvjelim mëngët dhe të nisim angazhimin tonë.  Këtë javë do të takohemi në mbledhjen e punës ku do të marrim vendimet e nevojshme”, tha ai. 

Vizitën e parë pas marrjes së detyrës Kurti dhe presidenti në detyrë, Glauk Konjufca, e kryen në Prekaz në përkujtim të sakrificës së familjes Jashari.