Ceremonia/ Hoti i dorëzon Kurtit detyrën e Kryeministrit
Sipas protokollit zyrtar dhe atij antiCovid, Albin Kurti ka marrë këtë të martë detyrën nga ish-kryeministri Hoti.
Në mbledhjen ceremoniale të kabinetit të ri Kurti 2, pandemia dhe ekonomia e vendit ishin në fokusin e kryeministrit të ri. Kreu i ekzekutivit tha se pret nga ministrat e tij plane konkrete për vendimet që do të marrin.
Marrja e detyrës është përcjellë edhe me urimet e politikanëve të lartë ndërkombëtarë.
Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borrell e ka uruar kryeministrin Kurti me anë të një postimi në Twitter ku solli në vëmendje procesin e dialogut me Serbinë.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, shkroi në Twitter se Amerika do të punojë me Kosovën për të ndërtuar një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kabineti i ri Kurti 2 përbëhet nga 18 anëtarë, 15 ministra, 5 prej të cilave janë gra.