Prokurorja e Kukësit ngec në rrjetën e vettingut, shkarkohet nga detyra Rita Gjati

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur shkarkimin nga detyra të prokurores së Kukësit, Rita Gjati.

Rita Gjati ishte prokurore pranë Gjykatës së rrethit Kukës.

Prokurorja e Kukësit, Rita Gjati dhe avokati i saj e braktisën në mënyrë demonstrative seancën dëgjimore në KPK me 17 mars, ndërkohë që nga relatimi u gjetën probleme të pasurisë, kontakte të papërshtatshme dhe cilësi të papranueshme profesionale.


Më herët drejtuesja e Prokurorisë së Kukësit, Rita Gjati kishte kallëzuar në Prokurori kryetaren e Komisionit të Pavaruar të Kualifikimit, Genta Bungo, dhe dy anëtarët e tjerë të institucionit, Alma Faskaj e Lulëzim Hamitaj.

Kryeprokurorja e Kukësiti akuzonte anëtarët e KPK për shpërdorim detyre, pasi sipas saj KPK se nuk kishte shqyrtuar të gjitha provat e dërguara prej saj për procesin e rivlerësimit, kjo për shkak se materialet nuk i kishte dërguar në rrugë postare por elektronike.


Prokurorja e komanduar, gjithashtu pretendonte se njëri nga anëtarët nuk ka qenë në Shqipëri në momentin kur është refuzuar kërkesa e saj për marrjen në konsideratë të dokumenteve shtesë, duke shtuar se ka siguruar edhe një fotokopje të sistemit TIMS, marrë në datën 5 mars.

Rita Gjati e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2002 si prokurore në Sarandë, por në vitin 2008 ajo u shkarkua nga Prokurorja e Përgjithshme e kohës, Ina Rama pas një inspektimi të kryer.

Gjati e kundërshtoi shkarkimin si të paligjshëm në Gjykatë dhe e fitoi çështjen, së bashku me disa prokurorë të tjerë.

Ajo u rikthye në detyrë në vitin 2013 dhe në vitin 2014 u emërua në Prokurorinë e Kukësit.