"E kemi në traditë, burrërohesh kur e kthen një gotë", këshilla e ekspertëve: Konsumoni pije por mos e lini pijen t'ju konsumojë
Për të folur për alkoolin ekziston një diskutim interesant: është qejf, por edhe ves.
Shqiptarët ndonëse nuk janë konsumuesit më të mëdhenj të alkoolit përsëri konsumi mbetet i lartë.
Varësia nga alkooli përllogaritet të jetë në nivelin 3.4%, ku konsumuesit më të mëdhenj janë meshkujt.
Të ftuarit e sotëm në emisionin Ditë e Re, në RTV Ora Roland Shuperka, ekspert i alkoolit dhe duhanit, Holta Heba, pegadoge dhe Ermal Dollani, bartender kanë diskutuar rreth fenomenit të konsumimit të alkoolit në Shqipëri.
Eksperti Shuperka thotë se konsumimi i alkoolit daton që në gjenezën e popullit shqiptar.
Sipas tij në doza të moderuara alkooli i bën mirë shëndetit të njeriut. Shuperka gjithashtu thotë se ligji për reduktimin e dëmit nga alkooli dhe shitja e tij për moshat e reja nuk zbatohet në Shqipëri.
Roland Shuperka: "Populli shqiptar është pije-dashës dhe alkooli është në gjenezën e popullit shqiptar. Alkooli është pjesë e jetës shoqërore dhe familjare të vendit tonë. Në këto kushte ne do të rekomandonim dhe OBSH do të thoshte :'më pak alkool është më mirë."
Në doza normale dhe të moderuara alkooli i bën mirë shëndetit të njeriut, shëndetit të zemrës dhe pjesëve të tjera të trupit, pra nuk është një gogol.
Alkooli është një lëndë toksike dhe njëkohësisht e deh trurin, pra e godet trurin dhe nëpërmjet goditjes që shkon në tru të gjitha veprimet bëhen më të ngadalta dhe çdo veprim bëhet në formë të tillë që krijon problematika shoqërore, familjare dhe individuale.
71% e popullsinë në vendin tonë llogaritet një popullsi që përdor alkool në forma të moderuara, normale dhe pjesa tjetër përdor alkool në forma të tepruara.
Kategoria e personave të alkoolizuar është 1.5%, kryesisht mosha e rritur.
Tek brezi i ri nuk njihet fenomeni i alkoolizimit.
Problematikë e madhe janë vdekjet nga përdorimi i alkoolit në nivel evropian në grupmoshat e reja deri në moshën 29 vjeç, nga aksidentet rrugore dhe grindjet e çastit. Politikat që të duhet të ndiqen nga qeveritë janë ato të reduktimit të dëmit, kufizimin e mundësisë së blerjes së pijeve alkoolike sidomos te moshat e reja. Ne kemi një ligj, por që akoma nuk zbatohet asgjë në këtë drejtim ka mungesa.
Mund të kujtojmë rastin e vitit të kaluar ku mblidheshin në qendër të Tiranës kioska të cilat ofronin birrë, uiski, verë etj., prandaj janë gjëra shumë së prapthi që shteti duhet të merret me reduktimin e dëmit."
Bartenderi, Ermal Dollani thotë se nga eksperienca e tij shumë persona të mitur nuk tregojnë për moshën e tyre me qëllim për të konsumuar alkool.
Ermal Dollani: "Ka të mitur të cilët kamuflojnë, të cilët janë në moshë të vogël dhe nuk dallojnë që janë minorenë. Në konsumimin e alkoolit numri më i madh i konsumatorëve kanë qenë meshkuj."
Pedagogia Holta Hebo shpreht se konsumimi i alkoolit në moshat e reja fillon si një mënyrë për t'u pranuar në shoqëri dhe për t'u dukur "cool."
Holta Heba:" Një person e nis pijen si argëtim, si një mënyrë për t'u pranuar në shoqëri. Nëse nisemi nga moshat e reja ata janë të predispozuar për t'u dukur dhe ndoshta pija i ndihmon të futen në shoqëri. Të rinjtë janë të predispozuar për të shkruar drejt përdorimit të alkoolit, por ajo që duhet të kemi nën kontroll është ndërgjegjësimi.
Konsumimi i alkoolit nis lehtësisht, por vështirësia është për ta hequr si ves pastaj.
Përdorimi i alkoolit sjell shumë dëme, shëndetësore, shoqërore dhe ekonomike.
Për të qenë "cool" të rinjtë nisin jo vetëm alkoolin por edhe duhanin, që të pranohen në shoqëri.
Është e rëndësishme që këta të rinj, por edhe të rriturit duhet të kuptojnë që ti do konsumosh pijen, mos të të konsumojë pija ty.
Ne e kemi në traditën tonë që burrërohesh ose dukesh më burrë kur e kthen një gotë.
Konsumimi i alkoolit është në rritje edhe te gjinia femërore."
Ekspertët i bëjë thirrje të rinjve që të ndërgjegjësohen në konsumimin e alkoolit dhe mos ta teprojnë.