Rrumbullaku: Pagat e mësuesve do të rriten në mandatin 3, nxënësit dalin shumë mirë në testet ndërkombëtare
Në një intervistë në RTV Ora, zv. Ministri i Arsimit Olti Rrumbullaku u shpreh se rritja e pagave të mësuesve në vitet e fundit është rreth 32%.
Kliko për të parë intervistën e plotë në youtube
Sipas Rrumbullakut, qeveria do të vazhdojë me rritjen e rrogave të mësuesve edhe në mandatin e tretë, por sërish nuk dha një datë të caktuar se kur do të ndodhë kjo.
Rrumbullaku: Rritja e pagave të këtyre viteve të fundit është rreth 32%, por nuk është e rëndësishme vetëm rritja e pagave, por edhe programi i librave falas, është reforma në botimin e librave nga shtëpitë prestigjioze që janë të ngjashme me vendet Evropiane, është hyrja e mësuesve në portalin. Të gjitha këto kanë pjesë të rëndësishme në reformën në arsimin që kanë përmirësuar arsimin e vendit. Kjo gjë është treguar edhe përmes testimeve ndërkombëtare ku ne kemi dalë shumë mirë.
Strategjia kombëtare e arsimit ka shumë elementë, një prej tyre është në lidhje me pagave. Pagat e rektorëve dhe mësuesve kanë qenë prioritet këto vitet e fundit. Edhe në mandatin e ardhshëm këto paga do të njohin një rritje. Mësuesit vitin e shkuar dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe ne jemi të qartë se rritjen e pagave e meritojnë. Si rezultat i pandemisë i gjithë sistemi pati një vështirësi për t'u orientuar në këtë ndryshim të fortë të mënyrës së dhënies mësim. Ne si ministri u detyruam që të merrnin disa vendime për situatën. Universitetet qysh nga shtatori, pas zgjedhje e morën situatën në kontroll duke krijuar platformat e tyre.
Rrumbullaku shtoi se gjithë reforma kurikulare e realizuar këto 6-7 viteve të fundit synon që të krijojë nxënësin mesatar me dijet bazë.
Rrumbullaku: Vazhdojmë që të kemi një grup të nxënësve dhe mësuesve që bëjnë mësim në klasat kolektive. Ky vit është pakësuar çdo vit. Po ashtu, janë shpërndarë tableta dhe është bërë një proces më i kujdesshëm për evidentimin e nevojave që kanë këto klasa. Ne kemi një projekt të përhershëm që këto klasa kolektive të kenë një kombinim mes mësimit online dhe atij në klasa. Për këto fëmijë të ketë një program të veçantë që u kushtohet atyre. Gjithë reforma kurikulare e realizuar këto 6-7 viteve të fundit synon që të krijojë atë nxënësin mesatar me dijet bazë. Kurikula e vjetër ishte shumë e ngarkuar. Tashmë tekstet janë shumë të kuptueshme dhe futja e mësuesve më cilësorë përmes portalit, i jep gjithë sistemit arsimor një mjedis më të mirë dhe nxënësit dalin shumë më mirë në testet ndërkombëtare.