Përplasja me policinë te FRD, Goci: Prezenca e Metës legjitime, duhet të shkonte dhe Basha e ti kapte për leckash

Përplasja me policinë bashkiake në zyrat e FRD dhe ndërhyrja e presidentit Meta ishte kryengjarja e kësaj të premteje.

Pedagogu dhe aktivisti, Ervin Goci, në një intervistë për Ora News thotë se prezenca e Kreut të Shtetit atje ishte tejet legjime dhe sipas tij këtë duhet ta bënte edhe kryeopozitari Basha.

Goci: Presidenti atje? Absolutisht që po, një muaj para zgjedhjeve një subjekt politik sulmohet për tu nxjerrë jashtë, kemi një projekt të fshehur për ta shembur godinën që asnjë nuk e thotë, vetëm kur ta hedhin në tokë natën. I ka dalë boja kësaj. Momentin që kemi cënim të integritetit të zgjedhjeve, sulm ndaj një subjekti politik, tjetrësim dhe shkatërrim të pasurisë publike, gënjeshtra dhe mashtrime publike, në këtën pikë ku kontrata nuk ekziston, presidenti i Republikës që është institucioni më i lartë kushtetues duhet të zbrezë në terren. Presidenti është institucion, na pëlqen apo nuk na pëlqen Iliri nuk ka pikën e rëndësisë.Institucioni i Presidentit ka disa detyra kushtetuese. Prezenca e tij në sytë e mi është absolutisht e legjitimuar dhe ka bërë veçse detyrën kushtetuese, këtë duhet ta bënte edhe lideri i opozitës Lulzim Basha. Duhet të shkonte atje dhe ti kapte për leckash ata, tu thoshte çfarë bëni, ku jeni ju, si u sulmoka një subjekt politik? Po ti shkojnë Lulit te zyra dhe ti thotë policia bashkiake liroe zyrën! Në kuptimin juridik partitë janë të barabarta. E gjitha është një skenë para zgjedhjeve nën nxitimin që ata kanë sepse mesa duket nuk i kanë kartat në rregull.

Duke e konsideruar një sulm të hapur politik, Goci thotë se sulmi vjen nga një kryebashkiak ilegjitim që është në krye të bashkisë pa votën e qytetarëve.

Goci: Sulmin politik e bëri bashkia që nuk ka konkurruar, ka një institucion që e ka pa zgjedhje, jolegjitim. Zgjedhjet lokale janë në Gjykatën Kushtetuese. Është një individ që nuk ka asnjë lloj legjitimiteti ndërkohë që vë firma, jep leje ndërtimi dhe vazhdon bën projekte në qytet megjithëse nuk ka legjitimitet. Jemi në një situatë ku nuk ka absolutisht asnjë lloj normative që të rregullojë raportin e pushtetit me qytetarit, jemi në pikën zero.

Si një prej aktivistëve në mbrojtje të Teatrit, Goci zbulon një tjetër skenar në në këtë histori.

Sipas tij aksioni i sotëm nuk ka lidhje me rikonstruksionin e godinës por me shembjen e saj, si vazhdimësi e shkatërrimit të qendrës historike të Tiranës.

Goci: Nuk është një ngjarje që na e ka ofruar politika, ishte një ngjarje e evitueshme por është një ngjarje që nuk ka lidhje fare me atë që kemi parë sot sepse është një ngjarje që ka që nga 2018 kur u shpall projekti i teatrit të ri dhe projekti për shembjen e teatrit ekzistues. Bashkë me teatrin do të ndërtoheshin edhe 6 apo 7 kulla. Gjithçka është në vazhdimësi të asaj.Projekti është që të shemben të gjitha godinat aty, edhe e FRD, edhe godina ngjitur e familjes Kosova dhe kulmi i kulmeve, sarajet. Ky mesazh komunikohet në publik përmes një mashtrimi. Çohet një shkresë atje dhe i thuhet se e duam për ta rikonstruktuar dhe përshtatur godinën për qëllimet tona. Fakti është që çdo lloj pasuruie që hyn sot në inventarin e bashkisë prishet dhe shkatërrohet. Bashkia Tiranës sot shkatërron, kalon me PPP, çdo lloj pasurie publike e ka rentabilizuar në qindarkë paraje.Nuk lë centimetër pa e kthyer në para. Edhe projektet që duken me një lloj profili publik si korsitë e biçikletave, në fakt nuk janë gjë tjetër vetëm zënia e vendeve të parkingut për ti çuar njerëzit në parkingje private. Është një grup mafie që ka kapur të gjithë qytetin. Kjo ndodh një muaj para zgjedhjeve, ku e njëjta parti, e njëjta godinë, që kishte  muaj e vite që rrinte aty papritur një ditë na u bë bela dhe duhej hequr se i ra në mend kryetarit të Bashkisë se kjo godina kishte mbetur pa administruar.

Goci i bën thirrje SPAK të vihet në lëvizje, pasi siç thotë ai,  po pastrohen miliona euro me kulla dhe askush nuk heton.

Goci: Është e sigurt, për këtë dal garant dhe vë dorën në zjarr.Është për tu prishur dhe duan ta bëjnë tani brenda prillit apo brenda javës. Përfitoj nga rasti ti them SPAK-ut që ka mbetur një ASPAK që vetëm fle atje që kanë ardhur denoncime pa pafund. Kjo është e lidhur me të njëjtën histori me teatrin, është vazhdimësia e shkatërrimit të qendrës së Tiranës. Pak metra më tutje është Sahati i Tiranës që po ndërtohet në mënyrë abuzive duke pastruar paratë ditën për diell. Ngado që të kthesh kokën ke vetëm kulla, me miliona euro që po pastrohen dhe asnjë nuk heton. Nëse ne nuk zbresim në shesh dhe nuk përplasemi fizikisht, nuk ka asnjë lloj shpëtimi.

Pedagogu me shqetësim shprehet se deri sot SPAK nuk ka dhënë asnjë provë që të justifikojë investimin dhe pritshmëritë e qytetarëve te ky institucion që "grin" taksat tona.

Goci: Duhet ta tregojë, në momentin që institucioni nuk godet ata për të cilët është ngritur të godasë, SPAK është një prokurori e posaçme, atëherë është një institucion që grin taksat tona, përkundrazi mund të përdoret dhe në mënyrë selektive. Është një instrument pushteti për të bërë luftë politike apo për tu krijuar mburojë disa individëve që e dinë që nuk do të jenë përgjithmonë në pushtet. Deri sot nuk kam parë asgjë që të ketë dhënë për një mobilizim serioz të institucionit dhe jam shumë i shqetësuar. Kur mungon një peshore që bën balancën gjithçka reflektohet në një dhunë të jashtëzakonshme, të pakontrolluar të shtetit. Është shumë shqetësuese që SPAK nuk ka një reagim.

Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Besjana Kuçana