Rakacolli ua hedh "fajin" qytetarëve: Nuk respektojnë masat, në urbane duhen kontrolle
Në një intervistë për Ora News, zv. Ministrja e Shëndetësisë dhe kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve Mira Rakacolli u shpreh se pavarësisht se ka vënë një përmirësim të zbatimit të masave, sërish masat anti-Covid nuk respektohen.
Rakacolli tha se urbanët janë të mbingarkuar, por qytetarët duhet të bëjnë punën e tyre në mënyrë që të mbrohen.
Rakacolli: Ne duke parë situatën e pandemisë vendosëm që do të mbajmë këto masa që të vazhdojë trendi ulës i infektimeve. Pavarësisht se kemi vënë një përmirësim të zbatimit të masave, sërish kemi vënë re që masat nuk respektohen duke bërë që këto numrat të mos ulen. Nëse qytetarët do të ishin më bashkëpunues dhe më të ndjeshëm, do të flisnim për një lehtësim të masave. Në nivelet që jemi tani, duhet të mbetemi në masat që kemi rekomanduar.
Është e vërtetë që urbanët janë të ngarkuar dhe ne do të bëjmë atë punën tonë, edhe njerëzit duhet të mbrohen. Gabimi ka qenë i imi në shprehje. Maskat dhe distanca duhet respektuar në autobuz. Në një pjesë të mirë të rasteve kjo nuk zbatohet, por një pjesë zbatohet sepse kemi parë edhe kontrolle të shumta. Natyrisht që duhet një presion dhe një kontroll më i madh i institucioneve që e kanë për detyrë këtë gjë. Kjo fillon me atë që e drejton urbanin. Penaliteti nuk e zgjidh çështjen. Qytetarët duhet të jenë më të ndërgjegjshëm.
Rakacolli shtoi se virusi është ashpërsuar dhe mjekët janë përballur me raste të të rinjve që janë infektuar.
Rakacolli: Një nga arsyet e rritjeve të të infektimeve, është edhe dyshimi i futjes së mutacionit britanik. Virusi është ashpërsuar dhe mjekët janë përballur me raste të të rinjve që janë infektuar. Përgjigja për variantin britanik nuk ka ardhur akoma nga laboratori, po ne në ISHP siguruam një aparat tjetër për këtë çështje. Por gjithmonë po mblidhen të dhëna se vaksinat kanë efekt kundrejt këtyre varianteve të reja. Ndërkohë, kapacitetet spitalore tonat nuk janë ezauruar akoma, sepse kemi rreth 1600 shtretër në dispozicion të covidit.