Eksplozivi në makinën e prokurorit, reagon KLGJ: Mbështetje ndaj familjes Muçaj
Një ditë pas shpërthimit me tritol në mjetin e prokurorit, Arjan Muça, ka ardhur edhe reagimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Në një deklaratë për mediat, KLGJ shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me aktin kriminal të 11 marsit ndaj anëtarëve të familjes së gjyqtares Gentiana Muçaj dhe dënon me forcë çdo akt që cenon sigurinë e gjyqtarëve.
Akte të tilla të përbëjnë kërcënim serioz jo vetëm për gjyqtarët, por ndaj të gjithë sistemit të drejtësisë e idealeve themelore të një shoqërie të hapur dhe shtetit të së drejtës.
Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen e palëkundur familjes Muçaj dhe të gjithë anëtarëve të personelit të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të jetojnë e të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve nga armiqtë e drejtësisë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor thotë se është i gatshëm të bashkëpunojë ngushtë me agjencitë ligjzbatuese për zbulimin e autorëve të akteve të tilla kriminale, me qëllim ndëshkimin e tyre dhe parandalimin e ngjarjeve të tilla të rënda.
Ngjarja e rëndë u regjistrua mbrëmjen e 11 marsit, tek “Komuna e Parisit” në Tiranë.
Kamerat e sigurisë kanë kapur autorin e vendosjes së lëndës plasëse në makinën e prokurorit, Arjan Muça.
Bëhet fjalë për një të ri rreth 30 vjeç i maskuar dhe me kapele, raporton gazetarja e RTV Ora, Keti Banushi.
Ai është afruar me motor pranë vendit të ngjarjes dhe ka vendosur lëndën plasëse në pjesën e poshtme të mjetit, raporton RTV Ora.
Si prokurori dhe bsahkëshortja Gentiana Muça, gjyqtare në Gjykatën Administrative, janë marrë në pyetje dhe mësohet se kanë deklaruar se nuk kanë pasur konflikte dhe shpërthimi ka lidhje me detyrën e tij.
Flitet për një sasi të konsiderueshme eksplozivi.
Prej 3 vitesh Ajan Muça punon në KLP ku bën vlerësimin e dosjes në kuadër të vetingut.
Lexo: Ndihem i kërcënuar, më mbroni. KLP: Atentat terrorist!
Prokuroria e Tiranës po shqyrton dosjet që ka në duar prokurori Muça dhe çështjet që po shqyrton gjyqtarja me qëllim zbardhjen e konfliktit të mundshëm për shkak të detyrës.