“Dritan Lelin e ndoqi mallkimi i paraardhësit të tij Shpëtim Gjika” Dash Shehi komenton ‘shmangien’ e Ramës

Kreu i LZHK, Dashamir Shehi ka reaguar në lidhje me anashkalimin që kryeministri Edi Rama i bëri temës së debateve me kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli.

Shehi thotë se Dritan Lelin e ndoqi mallkimi i paraardhësit të tij Shpëtim Gjika, ndërkohë që shton se shqiptarët janë në konkurrencë me sirianët për vendin e parë si azilkërkues në Evropë.

“Rama “harroi” të fliste për Lelin dhe rikthimin e gomoneve në Vlorë !

Kryeministri Edi Rama sot në Vlorë “harroi” të fliste të Dritan Lelin, të cilin e ndoqi “mallkimi” i paraardhësit të tij Shpëtim Gjika. Mëkati më i madh i Lelit është se refuzoi urdhrin e kryetarit për të lënë postin e kryebashkiakut dhe për të kandiduar për deputet.Rama foli për aeroportet dhe portet e Vlorës, por nuk tha asnjë fjalë për vrasjet kriminale që po tronditin këtë qytet. Nuk foli asnjë fjalë për të zhdukurit për shkak të larjes hesapeve për prishjen e pazareve të drogës. Rama nuk foli asnjë fjalë për rikthimin e trafikimit të qenieve njerëzore me gomone drejt Italisë. Pasagjerët këtë herë nuk janë shqiptarët e varfër, por emigrantët Sirinë, më të cilët prej 5 vitesh jemi në konkurencë për vendin e parë si azilkërkues në Evropë”, shkruan Shehi.