Zyrtare: Në Shqipëri qarkullon varianti britanik, Mutacioni shton transmetueshmërinë e virusit dhe përhapjen e tij
Zyrtarisht në vendin tonë janë konfirmuar rastet e para të personave të prekur me mutacionin britanik të koronavirusit.
Në mbledhjen e radhës të komitetit teknik të ekspertëve, ministrja e shëndetësisë Manastirliu deklaroi se mostrat u analizuan në laboratorin e Ankarasë.
"Rezultoi se mbajnë një shenjë të mutacionit britanik," tha ajo.
Ky variant thonë ekspertët është më i transmetueshëm dhe më agresiv.
"Dihet që ka më tepër infektueshmëri dhe më tepër agresivitet," tha Rakacolli.
Duke u nisur nga rastet ditore të të prekurve me coronavirus, komiteti shikon si të arsyeshme që në fuqi të mbeten masat aktuale kundër coronavirusit.
"Në analizimin e situatës në mënyrë dinamike, vlerëson që këto masa të qëndrojnë të njëjta," tha Manastirliu.
Megjithëse lanë të hapur vlerësimin e vendimit për ndalimin e grumbullimeve.
"Sot mori në shqyrtim edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila na sugjeronte që të merrnim dhe të vendosnim një afat në lidhje me masën që kemi propozuar për grumbullimet," tha Rakacolli.
Shefja e pediatrisë në QSUT Gjeorgjina Kuli bëri një analizë të infektimeve mes moshave pediatrike, duke deklaruar se vetëm 5 për qind e rasteve pozitive janë shtruar në spital.
"Aktualisht të regjistruar që nga fillimi i epidemisë kemi rreth 3500 raste pediatrike pozitive, prej të cilëve 5% kanë kërkuar ndihmë spitalore," tha Kuli.
Të premten pritet të vijnë edhe dozat e para të vaksinës nga Astra Zeneca, për të cilat komiteti ynë ka vendosur ta përdor atë te të gjitha grupmoshat, megjithëse kjo kompani sugjeron që ato të mos injektohen te personat mbi 65 vjeç.
"Të dhënat e fundit të publikuara nga studime të tjera për AstaZeneca tregojnë që ajo është efektive dhe e sigurt për t'u përdorur për grupmoshën mbi 65 vjeç," u shpreh Bino.
Pas largimit të Tritan Kalos nga Komiteti teknik i Ekspertëve, ky e fundit u zgjerua edhe më 3 anëtarë të tjerë.
Dr Dhimitër Kraja, Ermira Kola dhe Alban Ylli do të jenë anëtarë të përhershëm të tij.