Kavaja surprizon Bashën, mblidhen për ta pritur, kryedemokrati emocionohet dhe hipën mbi makinë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë rrugëtimit për në Kavajë, ka komunikuar me komentuesit e tij në rrjetet sociale ndërsa tha se qeveria në 8 vite ka dështuar dhe këtij dështimi do t’i vijë fundi më 25 prill. Në Kavajë, Basha u surprizua nga qindra qytetarë që kishin dalë ta prisnin në rrugë dhe nën emocione ai hipi mbi makinë për ti përshëndetur.
Lulzim Basha, shfrytëzoi rrugën nga Tirana në Kavajë, për të zhvilluar një bisedë me ndjekësit e tij në rrjetet sociale.
Ai tha se vendi ndodhet në krizë të thellë, për shkak të keqeverisjes.
Një qytetare e pyeti Bashën se çfarë do të bëje ai për të frenuar largimin e qytetarëve nga vendi.
"Të zgjidhësh problemin dhe të qëndrosh këtu, kjo është zgjidhja e vërtetë dhe problemi zgjidhet duke larguar të keqen, duke larguar Edi Ramën me 25 prill i hapim rrugë ndryshimit.Ky është një vend i mrekullueshëm, kudo që të shkosh nuk do të gjesh një vend kaq të bukur dhe kaq të dashur dhe kudo që të shkosh nuk do të gjesh as babë, as nënë, as shokë, as miq si ata me të cilët je rritur.
Normalizimi i Shqipërisë do të bëjë të mundur që ky vend i mrekullueshëm, me njerëz të mrekullueshëm, me resurse të jashtëzakonshme, të garantojë një jetë normale për të gjithë, shumë më normale sesa ajo që mund të siguroni në një vend të huaj".
Lexo edhe: Policia “kërcënon” Bashën: Të respektohen masat anti-Covid, ose do ketë penalizime
Ekonomia, tha Basha, është sot problemi më i madh në vend, ndërsa u sqaroi ndjekësve programin e Partisë Demokratike, i cili tha ai në fokus ka rritjen e të ardhurave për familjet shqiptare.
Ai premtoi një paketë ndihme për personat që janë të prekur nga Covid-19.
"E di shumë mirë që mijëra familje shqiptare janë zhytur në borxh për të shëruar të afërmit e tyre nga Covid. Ne po shqyrtojmë një paketyë ndihme pas 25 prillit, edhe për ata që kanë bërë shpenzime të tilla, në mënyrë që të dëmshpërblehen sepse kjo është një nga detyrat kryesore të shtetit, mund ta kishte bërë shteti shqiptar këtë nëse Edi Rama paratë e taksave tuaja nuk do të vazhdonte t'ua jepte mafias së inceneratorëve."
Basha, renditi vendimet e para që do të ndërmarrë kur të vijë në pushtet, duke përmendur kufizimin e mandateve në pushtet dhe heqjen e traut në Rrugën e Kombit.
"Norma e parë që do tu paraqes shqiptarëve padiskutim do të jetë kufizimi i pushtetit jo më shumë se dy mandate për një Kryeministër.Atë që nuk e bën dot për 8 vite nuk e bën dot për asnjë ditë më shumë. Sigurisht që ka ligje të tjera, ligji për arsimin e lartë, heqja e traut në Rrugën e Kombit".
Kryedemokrati, Lulzim Basha, sapo mbërriti në Kavajë u surprizua nga mbështetësit e shumtë që kishin dalë ta prisnin.
Ndërkohë nën entuziazmin e pritjes dhe në mungesë të një podiumi, ai hipi mbi makinë për të përshëndetur qytetarët.
Nuk harroi ti porosisë për mbajtjen e maskës dhe respektimin e distancimit social.
"Mbani pak distancë se jeni shumë afër njëri-tjetrit."
Lexo edhe: Komiteti Teknik vendos: Mësimi do të vijojë online, ndalohen grumbullimet për fushata elektorale






