Shqipëria marrëveshje me Gjermaninë, 50 milion euro kredi për menaxhimin e mbetjeve
Qeveria parashikon të marrë 50 milionë euro kredi për menaxhimin e mbetjeve.
Më 5 mars marrëveshja e financimit me qeverinë Federale të Gjermanisë ka mbërritur në Kuvend për diskutim.
Në relacionin shpjegues thuhet se ky shërbim, i cili është detyrim i bashkive nuk kryhet ashtu siç duhet.
“Menaxhimi i mbetjeve është në nivel të ulët, kështu që në shumicën e rasteve nuk kryhet asnjë lloj trajtimi i mbetjeve, nuk kryhet procesi i ndarjes së mbetjeve në burim, por mbetjet vetëm mblidhen dhe dërgohen në vend-depozitime.”
Një tjetër pikë është infrastruktura e menaxhimit të mbetjeve e cila paraqitet tepër e amortizuar dhe praktikat aktuale të këtij sektori mbartin rreziqe për shëndetin publik dhe mjedisin.
“Peizazhi është dëmtuar nga mbeturinat, qeset plastike të cilat janë të shpërndara kudo, kanë edhe ato ndikim negativ në zhvillimin e turizmit. Gjithashtu, në këtë mënyrë, pengohet edhe zhvillimi ekonomik i vendit.”
Ratifikimi marrëveshjes përfshin ndër të tjera edhe ndërtimin e një landfilli rajonal në qytetin e Beratit.
Në dokumente thuhet se është parashikuar nevoja për financimin e infrastrukturës rajonale dhe lokale për 15 vitet e ardhshme në vlerën e 463 milionë eurove ndërkohë që kostoja operative arrin në më shumë se 114 milionë euro në vit.