"Do ta bëjmë në gusht, do ta bëjmë në shtator..", fshati në Vlorë pa rrugë prej 30 vjetësh
"Rruga e Beshishtit, domethënë rruga nga njësia administrative deri në qendër të fshatit Beshisht është shndërruar në një gangrenë dhe ju kam premtuar të gjithëve që vitin që vjen në buxhetin e bashkisë së Vlorës një nga investimet e para që do të realizohet për të gjithë territorin do të jetë rruga e Beshishtit."
Kjo është deklarata e kreut të Bashkisë së Vlorës, Dritan leli dhënë në 27 korrik të vitit të kaluar.
Sot, edhe pse jemi në tremujorin e parë të vitit 2021, rruga duket kështu.
Kjo rrugë që lidh fshatrat Mekat, Llakatund, Drithas, Grabian dhe Beshishtë është kthyer në shqetësim real për banorët.
Ata shprehen se në të nuk është investuar prej më shumë se 20 vitesh.
"30 vite në këtë gjendje ka qenë, skandaloze," thotë një banor.
Gropat e mëdha që janë krijuar, e bëjnë vështirë të kalueshme për automjetet.
"Është katastrofë. Unë vij nga Greqia, pardje i bëra 200 mijë lekë servis makinës vetëm gomina, për shkak të rrugës," shprehet një tjetër.
Të zhgënjyer dhe të lodhur nga premtimet, ato kërkojnë zgjidhje për këtë problem.
"Vit i mbarë, vit i mbarë, më skëterrë. Urdhëro, ku do shkojmë? Vijnë i marrin votat thonë do ta bëjmë këtë rrugën asfalt, është thënë 100 herë, do ta bëjmë në gusht, do ta bëjmë në shtator, ku është? Shtatori iku," thotë banori.
"Nuk është hedhur asnjë diçka dhe asgjë nuk është realizuar këtu për këtë rrugë që lidh 4 fshatra," thotë një banor i zonës.
Kjo rrugë ndodhet 15 km larg bashkisë së Vlorës, ndërsa në të kalojnë çdo ditë rreth 1000 familje të 5 fshatrave.