Lagjja "Baba Rexhep" në Sarandë pa ujë dhe pa rrugë prej vitesh
Banorët e lagjeve të Sarandës vazhdojnë të kenë vështirësi të shumta për shkak të mungesës së investimeve.
Banorët e Sarandës hasin vështirësi me infrastrukturën urbane, jo vetëm në periferi po edhe në të gjithë qytetin.
Në lagjen "Baba Rexhep" ka shumë vite që nuk ka pasur asnjë infrastrukturë të mirëfilltë. Në 20 vitet e fundit të vetmet investime janë ato sporadike në vendosjen e ndriçimit të pjesshëm ose ndërtimi i një rruge po të pjesshme.
E gjithë lagjja në tërësi vuan nga furnizimi me ujë, ata furnizohen 2 herë në ditë me ujë dhe vetëm 1 orë.
Infrastruktura rrugore mbetet një problematikë e madhe, rruga është e gjitha e amortizuar dhe me probleme të shumta.
Në ditët me shi vështirësohet kalimi në të, ndërsa banorët tregojë se sa herë moti përkeqësohet detyrohen t'i çojnë fëmijët me makinë në shkollë.
Kjo lagje deri diku është e rrezikshme pasi ndriçimi është i pamjaftueshëm për të siguruar kalimin.
Kontejnerët e mbeturinave mungojnë dhe grumbujt e plehrave janë prezentë çdo 20 metër. Banorët vendosin t'i djegin duke shkaktuar edhe një ndotje të madhe.
Pavarësisht se banorët i janë drejtuar disa herë bashkisë së Sarandës për të gjetur një zgjidhje nuk kanë marrë asnjë zgjidhje. Të vetmet premtime janë ato elektorale.