Haradinaj i uron fitoren: Nuk kemi "vija të kuqe" me Vetëvendosjen
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherazi kandidati për president Ramush Haradinaj, doli në një komunikim me mediat pas përfundimit të procesit të votimit.
Teksa komentoi Exit Pollet e publikuara deri tani, ai u shpreh se AAK është rreth 10%.
“Ajo që dimë deri më tani, përpos EXIT POLL-eve që kemi parë, në pjesën e parë të numërimit hetohet një trend i votës kah Vetëvendosja dhe konstatohet një fitore e Vetëvendosjes në këto zgjedhje. Shfrytëzoj rastin që t’i uroj të gjitha partitë, edhe Vetëvendosjes fitoren. Ajo që shohim për AAK-në, nga 10 % e votave të numëruara nga KQZ-ja, është një rezultat rreth 10 % që përputhet edhe me parashikimet tona të pritjeve”.
“E dimë që ky proces kaq i mirë ndodhet në përgjegjësinë e komisionerëve dhe vëzhguesve dhe kërkojmë që të mos dëmtohet, pra që të ruhet vota dhe të ketë përgjegjësi maksimale nga të gjithë mekanizmat në mënyrë që të përmbyllet ky proces në mënyrën e duhur”, tha Haradinaj.
Më tej ai ka thënë se partia e tij s’ka vija të kuqe për asnjë parti dhe as për Lëvizjen Vetëvendosje duke I hapur rrugë një bashkëpunimi postzgjedhor mes dy forcave politike.
“S'kemi vija të kuqe as për Vetëvendosjen e as për ndonjë subjekt politik”, ka thënë Haradinaj.
Lexo edhe:
Exit Polls: Vetëvendosje fiton thellë zgjedhjet. Ja si ndahen vendet në Kuvend