Kosova hyn sot në heshtje zgjedhore
Kosova ky hyrë në heshtje zgjedhje për t'i lënë hapësirë garës së parakohshme parlamentare të së dielës.
Rreth 1 milion e 795 mijë persona me të drejtë vote do të zgjedhin mes 28 subjekteve dhe partive politike, të cilat po konkurrojnë për 120 karriget e Kuvendit.
KQZ-ja vendore nisi të shtunën ndarjen e materialeve zgjedhore në të 38 komunat e Kosovës.
“Ky material siç po shihet po shpërndahet nën përcjellën e Policisë së Kosovës dhe i njëjti do të dërgohet në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve . Nesër në orët e hershme të mëngjesit do të shpërndahet për në qendrat e votimit në mënyrë që në orën shtatë të mëngjesit të mund të fillojë procesi i votimit," shprehet Elezi.
Për shkak se zgjedhjet vijnë pas një urgjence kushtetuese por edhe prej pandemisë, misioni i OSBE-së këtë radhë nuk do të jetë në terren për të mbikëqyrur procesin.
Koalicioni i organizatave joqeveritare që monitorojnë zgjedhjet, po ashtu thotë se e kanë reduktuar numrin e vëzhguesve me gati 2 mijë persona.
Ndërkaq KQZ-ja ka njoftuar se numri i përgjithshëm i vëzhguesve të akredituar e kalon shifrën 29 mijë, dhe bashkëpunimi i ngushtë me Policinë, Prokurorinë dhe Gjykatat do të garantojnë një proces të drejtë dhe ligjor.
Shqiptarët e Kosovës pritet t'i drejtohen kutive të votimit të dielën nga ora 7 deri në orën 19 në mbrëmje.
Zyra e Bashkimit Evropian në vend theksoi se është e rëndësishme që ato të jenë transparente, të besueshme dhe përfshirëse, të lira nga presioni politik dhe në respekt të të gjitha masat kundër pandemisë së koronavirusit.