Shembet shtëpia për ndërtim, ndërhyrja e IMT pa praninë e familjarëve: Na mungojnë para
Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit ka nisur këtë të premte shembjen e këtij objekti në rrugën "Qemal Stafa", duke dëmtuar shtëpinë e familjes Muharremi e cila aktualisht është në proces legalizimi.
"Kjo është lënia e një mesazhi që ne bëjmë çfarë na do qejfi, nuk pyesim as për ligjin dhe asgjë. Presion është ky, me na fut frikën."
Në këtë zonë është dhënë leje ndërtimi për një pallat, ndërsa kjo familje është e vetmja që nuk ka gjetur daklordësi për të dhënë tokën, ndërkohë që nuk janë informuar për procesin e shembjes.
"Nuk kanë sjellë komunikim zyrtar me letër."
Ata tregojnë që nuk ka patur njeri në banesë kur ka ndodhur aksioni i IMT-së por pavarësisht kësaj punonjësit e bashkisë kanë hyrë brenda.
"Kanë ardhur sot fshehurazi, hajdutçe, unë nuk kam qenë në shtëpi. Kanë prishur murin, derën, kanë bërë dhe një vrimë aty te muri. Është mesazh që ne nuk pyesim as për ligje, as për shtet. Shteti nuk ekziston më".
Pronarët e shtëpisë akuzojnë se kur janë kthyer në banesë u mungonin shuma monetare.
"Kanë prishur derën, kanë hyrë në shtëpi dhe kanë zhvendosur mobiliet, më mungojnë dhe para, 2 milion e 700 mijë lekë që i kisha lënë aty."
Nënkryetarja e LSI, Erisa Xhixho, tha se leja është dhënë në kundërshtim të ligjeve.
"Është një leje ndërtimi që është dhënë në kohë pandemie në prillin e vitit të kaluar, jashtë kushteve dhe në shkelje të ligjit të urbanistikës për distancat që duhet të kenë pallatet larg njëra tjetrës."
Familja prej 5 anatërësh apelon për një zgjidhje pasi me dëmtimin e banesës nuk kanë ku të qëndrojnë.